Ish sulmuesi legjendar i Manchester United-it, Eric Cantona ka folur për mundësitë e ekipeve për të fituar Kampionatin Europian, i cili nis me ndeshjen e parë hapëse Francë-Rumani.
Ish-lojtari i kombëtares franceze ka reaguar ndaj një parashikimi të bërë nga një prej bankave më të mëdha në botë, ku thuhej se Shqipëria ka zero shanse për të fituar Europianin, ndërsa në vendin e parë vendosej Franca me një mundësi prej 26 për qind.
“Goldman Sachs, një prej bankave më të mëdha në botë kishte bërë një listë me skuadrat e mundshme që mund të fitojnë Europianin. Sipas tyre, Franca ishte e para me 26 për qind dhe Shqipëria e fundit me zero për qind. Kjo është një idiotësi, më vjen që të godas dikë përsëri. Si një skuadër nuk paska asnjë mundësi për të fituar?
E Greqia në 2004, dhe ata sikur nuk kishin asnjë shans për të fituar? Apo Danimarka në 1992, e Leicesteri në Angli?”, ka thënë Cantona.
Legjenda e Unitedit ka shtuar se futbolli luhet me zemër, përkushtim dhe talent dhe gjithçka është e mundur, transmeton TCH.
“Unë i jap Shqipërisë një shans për të fituar titullin madje dhe Islandës gjithashtu. Futbolli nuk ka lidhje me numrat dhe statistikat, por me zemrën, përkushtimin dhe talentin. Ka të bëjë me ëndrrën, dhe në ëndërr gjithçka është e mundur”, ka thënë ish-sulmuesi i Francës. (b.an)