Popull i marrun më qafë (i marrun se “i marrë” sesi m’u duk)
Të kanë marrë më qafë, o gjindja ime! E prejse të kanë marrë më qafë, ti nuk jeton më në shtëpinë tënde, po në kapanonin e Big Brother-it.
Njëherë të mori më qafë Big Brother-i orwellian, Enveri! Për dekada me radhë të mësoi të jetosh me moton “ti n’punë time, un n’punë tate!”. I duheshe atij, i duheshe që ti të rrije me gotën në vesh, mbështetur pas murit të komshiut, i duheshe ti që të gërmoje te Kimetja e Ushqimores a mori filani vajin e sallatës së tallonit, apo mos ka gjetë ndonjë vaj ulliri n’treg të zi. Të ushqeu me gjyqe popullore me altoparlant, me dënime kolektive nëpër uzina, kur i bihej çangës rrak-e-rrak dhe mblidhej gjithë kolektivi për të parë si bën autokritikë fajtori! Të ushqeu me sekretarët e vet që “zbulonin” çiftet e saponjohura nëpër lulishtet e Kombinateve dhe mandej i martonin me zor po ata vetë.
Iku Bigu, erdhi kjo demek-demokracia!
Të çmendën me Kafaze të Arta e me Big Brothera live! Të ushqyen të rrije zgjuar netëve duke fërku sytë para imazheve të mjegullta të kamerave nokturne, vetëm e vetëm për ta parë i pari a ndërroi dyshek filania dhe u fut poshtë jatakut të fistekut? Po kur u fut, si u fut? A hyri vetëm në dush akcili apo u ngjesh dhe i bëri vend akcilës? Të çmendën me histori të ndyta, kallxu nga gojë të pista nëpër foltore Parlamenti a nëpër konferenca shtypi partish! Të debilosën, të banalizuan, të shëmtuan deri n’beterr!
E tash s’të rref për asgjë tënden vetjake jetike të qenësishme, sa të ha e të gërryn e të ndez e të vdes padurimi me pa big brotherin politik të radhës. E kupton në çfarë të kanë shndërruar? Në vuajerist! Po po, të kanë bërë plak manjak që hap një vrimë te gazeta dhe përgjon çiftet nga liqeni, pa i rraf fare se ku i ka kalamajt e vet. Të kanë marrë më qafë!