Gjyqi ndaj yllit të Barcelonës, Lionel Messi, për evazion fiskal ka nisur në Barcelonë, por pesë-herë lojtari më i mirë në botë, nuk ishte i pranishëm. Messi dhe babai i tij, Jorge Horacio Messi, akuzohen për evazion fiskal për 4.2 milionë euro nga viti 2007 deri më 2009.
Ata rrezikojnë burgim prej 22 muajsh nëse shpallen fajtorë. Të dy kanë mohuar akuzat dhe kanë munguar në seancën e së martës, që zgjati më shumë se një orë.
28-vjeçari dhe babai i tij nuk kanë marrë pjesë në seancë, por duhet të deklarohen të enjten.
“Qëllimi i Lionel Messit ishte të merrte pjesë në dëgjimin paraprak, por ai pësoi një lëndim”, ka thënë avokati i tij, Javier Sanchez-Vera, që prezantoi raportin mjekësor në gjykatë.
Argjentinasi dëmtoi shpinën në miqësoren e kombëtares së tij me Hondurasin të premten, citohet Express. (b.an)