Rrjeti social Facebook, nga një dritare dhe urë lidhëse mes personave nga e gjithë bota, për shumë vetë është kthyer në një instrument abuzimi në duar të keqbërësve. Që nga shantazhet për fotot nudo, e deri tek publikimet e ndryshme që bëhen shkas për kërcënime. Shpesh herë rrjeti Facebook është bërë shkas edhe për krijimin e njohjeve me persona të rrezikshëm, apo me shtetas që kanë pasur qëllime negative.
Viktima janë kryesisht vajzat, por jo vetëm. Një vajzë e re nga Tirana është bërë viktimë e një përndjekjeje të gjatë nga një person të cilin e njohu në Facebook. Pasi pranoi miqësinë virtuale me shtetasin me inicialet K.A., vajza e re me inicialet E.M. pranoi të takohet me atë që do të kthehej në makthin e saj.
Ajo u gënjye nga bisedat normale miqësore në Facebook, por pasi vendosi të takojë “shokun virtual”, ra viktimë e një historie përndjekjeje dhe kërcënimi. Vajza kërcënohej për lidhje intime nga K.A., i cili i bënte pritë vajzës pranë banesës së saj, duke i ndryshuar rrjedhën normale të jetesës.
Për muaj me radhë vajza përjetoi gjendjen e ankthit dhe kërcënimet me jetë nëse nuk shkonte në shtrat me “shokun virtual”. Kjo histori mori fund kur vajza gjeti kurajën dhe denoncoi këtë shtetas në organet e drejtësisë. Kjo çështje përfundoi në gjykatë dhe shtetasi K.A. u dënua me 6 muaj burg.
Njohja në Facebook dhe kërcënimet për lidhje intime
Shtetasja E. M. ka krijuar njohje me shtetasin K. A., nëpërmjet rrjeteve sociale. Më pas, shtetasit E. M. dhe K. A. janë takuar me njëri-tjetrin.
Gjatë bisedave të zhvilluara ndërmjet tyre, shtetasi K. A. i ka kërkuar shtetases E. M. që të krijonin një lidhje më të ngushtë shpirtërore me njëri-tjetrin. Por një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga ana e shtetases E. M.
Pavarësisht këtij fakti, shtetasi K. A. ka insituar në qëllimin e tij. Shtetasi K. A., me qëllim realizimin e dëshirës së tij, duke u ndodhur para refuzimit të shtetases E. M., ka filluar t’i krijoj asaj shqetësime.
Konkretisht, shtetasi K. A. pasi takohej dhe pa dëshirën e saj me shtetasen E. M., e kërcënonte këtë të fundit duke i thënë se në rast se ajo nuk pranonte lidhjen ndërmjet tyre, ai do ta vriste.
Në disa raste të tjera, shtetasi K. A. e ndiqte nga pas shtetasen E. M. në lëvizjet që ajo kryente.
Për shkak të ngacmimeve të shpeshta si me fjalë ashtu dhe me veprime të tjera nga ana e shtetasit K. A., nga muaji Maj i vitit 2015, shtetasja E. M. ka filluar të ndryshojë kushtet e jetesës duke mos kryer një aktivitet normal ditor.
Shtetasja E. M. ka kufizuar daljet e saj nga banesa, me përjashtim vetëm në ato raste kur shkon për të ndjekur studimet. /a.m.