Policia e Durrësit zbardh dhe dokumenton vrasjen e Mirosh Djaloshit.
Ndalohen autorët, në lidhje familjare me viktimën.
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë , pas një hetimi intensiv 2- mujor, me metoda speciale të hetimit, kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së datës 18.03.2016, duke ndaluar autorët e dyshuar, shtetasit:
•Arban Djaloshi 26 vjeç, banues në fshatin Shkallë, Manëz, i dënuar më parë për vjedhje;
•F. Djaloshi 16 vjeç, banues në fshatin Shkallë, Manëz, vëllai I Arban Djaloshit;
•Bardhe Djaloshi 46 vjeçe, banuese në fshatin Shkallë, Manëz.
Ndalimi i tyre u bë pasi:
Në zbatim të Urdhërit të Ndalimit të datës 24.05.2016, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, urdhërohet ndalimi i shtetasve të mësipërm për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/c dhe 25 të Kodit Penal, pasi dyshohen se janë autorë të vrasjes së shtetasit Mirosh Djaloshi.
Autorët e dyshuar janë përkatësisht dy djemtë dhe bashkëshortja e viktimës.
Motivi i vrasjes është për konfikte familjare dhe policia nuk jep më shumë detaje për shkak të sekretit hetimor.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Më datë 18.03.2016, në orët e para të mëngjesit, në fshatin Shkallë, Manëz, në oborrin e banesës së tij, është gjetur i vdekur nga familjarët, i goditur me sendë të forta në kokë, shtetasi:
• Mirosh Djaloshi 54 vjeç.
Policia e Durrësit bën me dije se po punon në mënyrë intesive dhe i garanton të gjithë qytetarët se vijojnë hetimet për zbulimin dhe dokumentimin e të gjitha ngjarjeve të rënda të ndodhura në Qarkun e Durrësit, momentalisht pa autorë, duke siguruar vënien para përgjegjësisë penale autorët e tyre./a.m.