Koreja e Veriut i kërkoi sot sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon që të justifikonte bazën ligjore të sanksioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër programit të saj bërthamor, njoftoi sot agjencia zyrtare koreanoveriore e lajmeve, KCNA.
“Përfaqësuesi i përhershëm i Phenianit në Kombet e Bashkuara i dërgoi dje një letër Ban, duke vlerësuar se sanksionet e miratuara pas testeve bërthamore të Phenianit dhe lëshimit të satelitëve paqësorë nuk kishin baza ligjore”, sipas agjencisë KCNA.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së parashtroi në mars sanksionet më të rënda të miratuara deri më tani ndaj Koresë së Veriut pas testit të katërt bërthamor të kryer në janar dhe lëshimit të një rakete me rreze të gjatë veprimi muajin e kaluar nga regjimi komunist.
Pheniani është vënë edhe më parë nën shënjestrën e sanksioneve për testet bërthamore të kryera në vitin 2006, 2009 dhe 2013 dhe një seri lëshimesh të raketave me rreze të gjatë veprimi të prezantuara si lëshim satelitësh./a.m.