Mërgim Mavraj po tregon një tjetër talent të fshehtë, atë të shkesit për martesa. Mbrojtësi 29-vjeçar i përfaqësueses shqiptare të futbollit ka postuar pak kohë më parë në adresën e tij në Facebook një video të një tifozi, duke kërkuar ta ndihmojë për të gjetur njeriun me të cilin të ndajë jetën.
Në këtë video, tifozi me emrin Thomas, përshkruan gruan e tij ideale. “Nuk duhet të pijë duhan, të mos ketë tatuazhe…”. Ai premton gjithashtu se bashkëshortes së ardhshme do t’i kalojë pasionin për të mbledhur autografe.
Videoja në fjalë po arrin 150 mijë klikime. Ndërsa duket se kjo histori do të mbyllet me një fund të lumtur për Thomas.
“Ka disa kandidate të cilat duan ta takojnë, më kanë kontaktuar”, shpjegoi. “Unë do të isha shumë i lumtur nëse do ta ndihmoja të gjente gruan e ëndrrave”, shkruan Panorama sport.
Megjithatë, tifozi duhet të presë pak për të marrë në dorë listën e kandidateve potenciale, pasi Mavraj është aktualisht i grumbulluar me kombëtaren për pjesëmarrjen në Europian. “Kur të kthehem në Këln do i jap të gjitha kontaktet e zonjave që u interesuan për të. Është shumë e rëndësishme që t’ia jap mesazhet personalisht”, shpjegoi Mavraj.