Ish-drejtor i Analizës në SHISH, Naim Meçalla, i cilëson gabime të rënda veprimet e kreut aktual të SHISH, Visho Ajazi Lika. I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Meçalla, sot pedagog në universitetin “Wisdom”, deklaroi se është e papranueshme për një kryetar shërbimi inteligjent që të mos kontaktojë me eprorin e tij direct, kryeministrin Edi Rama për një çështje si ajo e ekzistencës së një pajisjeje të përgjimit që ai vetë e cilësoi cënim të sigurisë kombëtare.
“Nuk ka qenë fare serioze mënyra se si ka vepruar kreu i SHISH. Nuk mund të konceptohet se si për një çështje, sido që të ishte, e konfirmuar apo jo, ai të mos raportojë te kryeministri. Ai është eprori direkt. Por akoma edhe më e rëndë për mua është fakti që zoti Ajazi nuk ka hartuar një raport për këtë informacion. “Shteti funksion me ligje, rregulla, procedura dhe nuk është serioze që kreu i SHISH të mos hartojë raporte lidhur me çdo lloj infomacioni”, tha ai.
Meçalla shtoi se nga e gjithë përvoja e tij në këtë shërbim nuk dinte asnjë rast që të mos informohej kryeministri i çfarëdo krahu politik të ketë qenë ai për ngjarje të ndryshme që nisin nga më të parëndësishme deri ato që cënojnë sigurinë kombëtare. Sipas Meçallës, rasti më i mirë për një informacion të saktë në shërbimin inteligjent është në masën 50 për qind, por edhe sikur 10 për qind të saktë ta kishte informacionin, zoti Ajazi ai duhet të raportonte menjëherë të kryeministrit. Gjatë emisionit u soll në vëmendje një histori e ndodhur në vitin 1998 kur kryetar I SHISH ishte Fatos Klosi dhe kryeministër Fatos Nano dhe marrëdhëniet mes tyre ishin të acaruara.
Agjentët e SHISH kishin informacione se një autobot me alkol metilik po shitej në Tiranë dhe do të përdorej për prodhimin e pijeve alkolike. Megjithatë kreu i SHISH i asaj kohe, jo vetëm që kontaktoi menjeherë me kryeministrin, por ishte pikërisht ky kontakt dhe raportet e hartuara që vurin në punë instancat e policisë duke mënjanuar përdorimin e këtij alkoli që mund të kishte pasoja për jetën e konsumatorëve.