Kryeministri, Edi Rama në një intervistë për Euronews ka deklaruar se, Shqipëria do të finalizojë brenda një kohe të shkurtër reformën në drejtësi që është dhe çelësi kyç në integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Por, Rama flet për “vështirësi të mëdha”.
“Reforma nuk do të vonojë shumë. Kemi një vit e disa muaj që punojmë dhe tani po finalizohet. Është një reformë konstitucionale, një reformë fundamentale dhe një reformë që ndryshon plotësisht sistemin e drejtësisë. Dhe sigurisht që është shumë, shumë e vështirë”, shprehet Rama.
Kryeministri thekson se kjo reformë jo vetëm që do t’i hapë rrugën Shqipërisë për anëtarësimin në BE, por do t’i japë fund “historisë së Shqipërisë së korruptuar dhe të inkriminuar”.
Gazetarja: Nuk ka gjyqtar të korruptuar në Shqipëri?
Rama: Duhet t’i japim fund historisë së Shqipërisë dhe Ballkanit të korruptuar dhe të inkriminuar sepse është një steriotip që është krijuar ndër vite për të kriminalizuar lehtësisht këto vende.
Gazetarja: Sipas një raporti të anti-mafias italiane 1/3 e ekonomisësShqiptare është e krimit…
Rama: Kjo është e neveritshme. Nuk ka pasur asnjë raport që të thotë se 1/3 e ekonomisë shqiptare është e trafikimit të qenieve njerëzore, e drogës, etj.
Gazetarja: Cilat janë shifrat tuaja? E mohoni faktin se ka trafikim droge, armësh, trafikim të femrave?
Rama: E mohoj kategorikisht dhe ju them se është plotësisht e gabuar që të flisni për trafik armësh nga Shqipëria.
Pyetja: Pra nuk ka asnjë problem Shqipëria me krimin? Çdo gjë është në rregull?
Rama: Pse duhet të shkojmë nga një ekstrem në tjetrin? Nuk e kuptoj! Nuk ka ndonjë mendim më racional? Apo është nga ana gazetareske interesante për histori të tilla. Ju e përshkruani Shqipërinë si burim i së keqes në Evropë, por kjo nuk është e vërtetë.
Gazetarja: Kjo nuk është ajo që thashë!
Rama: Është një vend që ndryshon çdo ditë, me probleme, me një të kaluar shumë, shumë të vështirë, më e vështira se e të gjitha vendeve komuniste sepse ka qenë e izoluar për 50 vite, jo vetëm në Evropën Perëndimore, por edhe në atë Lindore.
Gazetarja: Në fund një pyetje personale. Para se të hyni në politikë, keni qenë piktor. Duke u kthyer pas, nuk jeni penduar që keni lënë botën e artit?
Unë nuk pendohem kurrë për asgjë. Kisha plane të tjera, por tani jam këtu dhe kam marrë përgjegjësinë për të drejtuar qeverinë e vendit tim dhe ky është një privilegj i madh, nderi më i madh që një njeri mund të ketë. Por në të njëjtën kohë unë nuk e kam ndalu punën si artist. Jam artist ashtu siç jam dhe Kryeministër.
Pikturoj gjatë takimeve, gjatë telefonatave, më ndihmon të fokusohem dhe siç e shihni kur nuk pikturoj gjatë intervistave nuk shkon gjithçka vaj.
Panorama/d.i.