Raportimet në Komisionin e Sigurisë sa i përket pajisjes IMSI Catcher kanë vijuar me raportimin e kryepolicit Haki Çako.
Duke i bërë të ditur bazën ligjore për raportim, Falmur Noka i kërkoi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që të dëshmojë mbi ekzistencën e pajisjes.
Në fjalën e tij, Çako tha se Policia e Shtetit në të gjithë aktivitetin e saj ka kryer vetëm detyrat në përputhje me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë.
Drejtori i Policisë ka zgjedhur t’i bjerë shkurt duke deklaruar atë që ai e cilësoi se mbante përgjegjësi morale, profesionale dhe ligjore.
“Jam mëse i qartë se gjatë gjithë veprimtarisë së saj Policia e Shtetit nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë përgjues. Ne nuk kryejmë përgjim telefonik” – tha Haki Çako.
Por, nënkryetari i Komisionit, Flamur Noka, kërkoi një shpjegim më të zgjeruar ndërsa Çako deklaroi se është i hapur për pyetje nga deputetët. I pyetur nga demokratët se në duart e kujt është kjo pajisje dhe kush e ka sjellë, Haki Çako u shpreh se prej disa ditësh ka filluar një procedim penal nga Prokuroria dhe në zbatim të ligjit policia ka vënë në dispozicion gjithçka.
“Nuk kemi një pajisje të përgjimit telefonik. Në inventarin e Policisë nuk ekziston një pajisje e tillë. Absolutisht as pa inventar” – tha Çako.
Referuar të dhënave nga SHISH, deputeti demokrat, Asllan Dogjani, ka ngritur pyetjen nëse kjo pajisje ka qenë në Vlore dhe se ku ndodhet tani. Nga ana tjetër, Dogjani kërkoi shpjegime se përse policia nuk është pajisur me leje nga Prokuroria për të futur në vend pajisjen në fjalë.
Por, Paulin Sterkaj ka reaguar ashpër duke kërkuar që Çakos të mos i bëhen pyetje të tilla për aq kohë sa çështja është nën hetim.
“Ky është një oficer karriere në Polici dhe nuk i prish hetimet. Pse nuk ershi prokurori i përgjithshëm? Sepse çështja është në hetim. Po Drejtorin e Policisë pse ta shqetësojmë?” – tha Sterkaj.
“E kuptoj që nuk doni të jepni asnjë lloj informacioni, por ne jemi Komisioni i Sigurisë Kombëtare. Nëse do që të largohen mediat, që të mos dalin sekrete hetimore, ne jemi gati ti themi mediave të dalin jashtë” – tha Dogjani.
Ndërkohë që Çako iu përgjigj se nuk është në kompetencë të tij të zgjidhë modalitetet e mbledhjeve.
“Unë jam këtu sepse më keni thirrur dhe uën dëshmoj çfarë gjykoj se nuk e prish sekretin hetimor. Nëse kërkoni këtë, mos e kërkoni kot sepse nuk e deklaroj” – tha Drejtori i Policisë së Shtetit.
(javanews.al / r.a)