Kreu i Kishës Serbe, patriarku Irinej, në ceremoninë e purifikimit të seminarit ortodoks në Prizren,“Bogosllovia”, ka thënë se ky seminar ka qenë shkolla e parë serbe në Kosovë.
Sipas Irinejt, në këtë seminar, që ka funksionuar për 140 vjet, janë shkolluar personalitete të mëdha.
“Kjo është një ditë e madhe për Prizrenin serb, për Kishën serbe dhe popullin serb në Kosovë e Metohi.
Kjo “Bogosllovi” ka qenë shkolla e parë serbe në Kosovë dhe Metohi, si seminar që ka përgatitur priftërinjtë dhe mësimdhënësit për tërë Kosovën e Metohinë, Maqedoninë e pjesërisht për Bosnjën dhe Hercegovinën.
Është një institucion i rëndësishëm, pasi për 140 vjet ka punuar, personalitete të mëdha janë shkolluar këto, dhe ka nxënës që janë bërë figura udhëheqëse të Kishës tonë. Prandaj është njëra nga Bogosllovitë më të rëndësishme dhe më meritore për kulturën tonë, për Kishën tonë”, ka thënë Irinej, raporton korrespodenti i “Kohës Ditore” nga Prizreni. (b.an)