Ish-kryetarja e Parlamentit Jozena Topalli, thotë se Shqipëria është “në gjendje alarmante, dramatike” dhe se opozita është e pafuqishme.
Në një intervistë për gazetën “Illyria”, Topalli tha se ekonomia e Shqipërisë ka rënë, se po ikin investitorëët, se po mbyllen vend të punës dhe se qytetarët braktisin masivisht vendin.
Ajo shprehet se mungesa e së ardhmes dhe shpresës nxiti ikjen e 100 mijë shqiptarëve dhe aplikimin e më shumë se 200 mijë të tjerëve për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kjo thërret me të madhe se ata nuk mendojnë se ardhmja e tyre, e fëmijëve të tyre, mund të ndërtohet në vendin e tyre”-thotë ajo. “Si kurrë më parë në histori me ish-policisë, ish-gardianë burgjesh dhe persona që kanë pranuar se kanë qenë të përfshirë si të dyshuar në veprimtari kriminale, prostitucion, drogë apo vrasje”, thotë Topalli.
“Ka qenë një situatë e paimagjinueshme, – vijon deputetja Topalli, – nëse ishe 20 vjet më parë që në Kuvendin e Shqipërisë të ulen njerëz që pranojnë me gojën e tyre që janë vrasës, bosë të trakut të qenieve e njerëzore apo njerëz që në mandatin e deputetit marrin armë dhe qëllojnë në komisariatin e policisë. Është tragjike kjo”! Reforma në drejtësi është kyçe për partnerët ndërkombëtarë që Shqipëria të ecë me eurointegrimin, por veçanërisht për të shkundur sistemin dhe shoqërinë.
Raportimet se ajo nuk është pajtuar me rolin e ambasadorëve, deputetja i quan të pasakta, por sepse siç thotë “ashtu i kanë servirur” e jo se janë qëndrime të saj:
“Kjo situatë që me sa shoh unë, në gazeta është pasqyruar në mënyrë jorealiste ose si mund t’i pëlqente apo interesonte dikujt brenda forcave politike. Nuk kam qenë kurrë kundër reformës dhe ndoshta as opozita nuk ka ditur të shpjegojë se çfarë ka bërë gjatë kësaj periudhe. Është për shkak të qëndrimit të opozitës që kemi arritur në një draft opinion të Komisionit të Venecias, që paraqet parimet bazë ku duhet të mbështetet ndryshimi.
Nuk është thjesht reforma në drejtësi. Kjo është reformë kushtetuese, sepse me ndryshimet që do të bëhen, preken artikuj të tërë të Kushtetutës. Ndaj njerëzit e angazhuar duhet të ketë njohuri që të ruajnë parimin e barazisë. Po ashtu edhe sepse ndryshon arkitektura e institucioneve, duhet që këto parime t’i shtrijnë në draftet që do të paraqesin. Sistemi i drejtësisë është një një moment që ka nevojë për ndryshim imediat. Por, kjo nuk mund të më çojë që të pranoj draftin e përgatitur nga qeveria, sepse siç e vërtetoi koha, u rrëzua nga Komisioni i Venecias.
Ambasadorët jashtëzakonisht që kanë qëllimin e mirë për të ndryshuar për mirë gjërat. E vetmja vërejtje që unë kam bërë në grupin parlamentar, e kam thënë në Kuvend dhe do ta them, është pyetja se si ka mundësi që në 25 vjet nuk ka ndodhur asnjëherë që ambasadorë të huaj të kërkojnë të vijnë në mbledhje grupi?!
As në 125 vjet, as në 100 vjet nuk e kanë bërë! Por, është e pazakontë për shkak të një situate alarmante, dramatike ku ndodhet vendi”. Mirëpo ndonëse me arsyetimin se të zëvendësosh Sali Berishën në krye të PD-së, është shumë e vështirë, me kritikë e vëren drejtimin e opozitës nga kryetari i ri Lulzim Basha.
Ajo pranon se pas dy mandateve në pushtet, ishte “fare normale” kthimi në opozitë, sepse “vendi kishte nevojë për qeveri të re”. Por, për zonjën Topalli “gjërat janë rrokullisur në mënyrë të frikshme” dhe “njerëzit janë zhgënjyer nga pritshmëria që kishin dhe realiteti ku janë”. “Opozita ka pasur të gjitha shanset për ta kapitalizuar këtë pakënaqësi dhe për t’i dalë zot interesit të qytetarëve dhe interesit publik. Opozita, kryesisht zoti Berisha dhe disa deputetë bënë një betejë të rëndësishme për procesin e dekriminalizimit”-thekson ajo. Illyria/ a.k