Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho prej muajsh mungon në jetën parlamentare për shkak të një sëmundjeje që e ka detyruar atë t’i nënshtrohet trajtimit spitalor.
Ai po merr trajtimin mjekësor në Turqi dhe nuk mund të rikthehet për pak kohë në funksionet e tij.
Bojkoti i opozitës për arsye të ndryshme dy muajt e fundit ka bërë të pamundur thirrjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, të cilin mund ta drejtojë, në mungesë të Spartak Brahos, vetëm nënkryetari Flamur Noka.
Por tashmë që opozita i është rikthyer normalitetit parlamentar, ditën e hënë do të zhvillohet pas shumë kohësh mbledhja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, nën drejtimin e deputetit demokrat, Flamur Noka.
Në rend dite është parashikuar shqyrtimi i Projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për procedurat e sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar” (report tv / r.a)