U desh presioni disaditor mediatik që në aksin rrugor Plepa-Kavajë të merreshin masat për vënien e parmakëve anësorë, ku si pasojë e mungesës së tyre humbën jetën dy fëmijë.
Por pavarësisht se në këtë drejtim po punohet me ritëm të shpejtë, Top Channel ka shkuar në një tjetër vend aksidenti, në të njëjtin aks, ku më 25 mars të këtij viti humbën jetën tre të rinj si pasojë e përmbysjes së mjetit të tyre poshte një ure në Gosë të Kavajës.
Ura edhe sot vazhdon të jetë e pambrojtur dhe jashte çdo standardi sigurie. I vetmi ndryshim që vihet re është mbushja me dhe e kanalit poshtë saj.
Pas fillimit të hetimeve nga prokuroria e Kavajës dhe arrestimit të tre personave në lidhje me mos plotësimin e standardeve përgjate këtij aksi, mëngjesin e së shtunës në këtë pikë mund të gjenden vetëm punëtorët e një firme private që merren me realizimin e ndriçimit pranë kësaj ure ndërkohë që ajo vazhdon të mbetet e pambrojtur sikurse në muajin mars.
Sipas specialistëve të policise rrugore, aksidenti që u mori jeten tre të rinjve në mars ndodhi në kushtet e errësirës dhe mungesës së parmakëve mbrojtes të ures mbi kanal. (javanews.al / r.a)