Bashkia e Tiranës ka reaguar sot sa i përket deklaratave të ish-kryeministrit Berisha, se leja e ndërtimit të ‘Gener 2’ është dhënë nga Rama.
Në një njoftim shpërndarë për mediat, Bashkia sqaron se vendimi për dhënien e lejes, në fakt është marrë pas moratoriumit për ndalimin e ndërtimeve. Moratoriumi në fjalë është vendosur në datën 22 gusht të 2014, ndërsa leja mban datën e 14 shtatorit të po këtij viti.
“Leja është dhënë në kundërshtim me vendimin e Komitetit Kombëtar të Digave, i cili ka miratuar edhe “Studimin hidroteknik për sigurinë e digës së liqenit artificial të Tiranës dhe masat mbrojtëse nga diga”, duke theksuar rrezikshmërinë e ndërtimeve nën Digë” – deklaron Bashkia.
Sipas këtij institucioni, leja është dhënë pa pasur një Plan të Detajuar Vendor. Siç shihet nga faksimilja e mëposhtme, leja për ndërtimin e 17-katëshit mban firmën e ish-kryebashkiakut Lulzim Basha. Gjatë seancës së sotme, Berisha tha se leja jo vetëm është firmosur nga ish-kryebashkiaku Edi Rama, por edhe është prezantuar prej tij si pjesë e planit urbanistik në Këshillin e Rregullimit të Territorit. (javanews.al / a.r)