Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka zhvilluar sot takime me kongresmenë amerikanë në SHBA, ku ka marrë mbështetje për reformën në drejtësi. Gjatë vizitës së tij në SHBA, Meta pati një takim me Kryetarin Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave Pete Sessions dhe Kryetarin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare Michael McCaul.
“SHBA-të kanë interes për avancimin e reformës në drejtësi. SHBA-të kanë nevojë për një Shqipëri të fortë dhe një rajon të stabilizuar. Ne do t’ju mbështesim në përpjekjet tuaja për progres. Marrëdhëniet tuaja me Kongresin amerikan dhe popullin amerikan tregojnë se ne jemi përkrah jush. Vlerësojmë rolin e Shqipërisë si një vend aleat. Ne duhet të mos kursejmë asgjë për të ndihmuar aleatët tanë”, janë shprehur kongresmenët.
Çështjet e sigurisë mes dy vendeve ishin gjithashtu në fokus të diskutimeve mes Metës dhe kongresmenëve amerikanë.
“Të përforcojmë përpjekjet tona kundër terrorizmit. Kriza e refugjatëve duhet parandaluar përpara se të përhapet. Vëmendje të veçantë ndaj krizës së refugjatëve dhe zhvillimeve në rajon dhe Lindjen e Mesme!” ka deklaruar Ilir Meta.