Nga ELIDA BUÇPAPAJ
Dossier/ Al Capone, megjithëse pa i mbushur ende të 40 vjeçët, ishte një gërdallë e harruar, që askujt nuk i shkonte mendja më për të. Ishte shëndetlig, dhe duke mos paraqitur më asnjë lloj rreziku, autoritetet e liruan më 19 nëntorin 1939, pra kur ishte vetëm 40 vjeça. Nga Alkatrazi dilte si një fantazëm, që i frikësohej edhe hijes së vet. Natyrisht Al Capone kishte bërë një epokë, ndërsa atë botë flitej se kur doli nga burgu vuante nga sifilizi, tuberkolozi apo kanceri. Në fakt, ai i ishte dorëzuar Ferrit që përpara kohe, që në gjallje. John Edgar Hoover vërtetë nuk kishte arritur që ta çonte Al Caponen në karriken elektrike, por kishte arritur një sukses më të madh, sepse ishte vetë Al Capone që e kishte dënuar veten me vdekje. Ditët e fundit të jetës i kaloi në vilën e tij në Palm Island ku e mbylli kapitullin përfundimisht më 25 janar 1947. Me vdekjen e tij, vdiste edhe simboli më i famëkeq i një epoke famëkeqe, të sëmurë nga imoraliteti, shthurja, korrupsioni dhe dhuna. Me vdekjen e tij, asnjë gazetë nuk e dha as si një lajmtë thjeshtë disa rreshta fundin e rrënuar të gangsterit të gansterëve. Që mbetet fund për të gjitha kopjet e tij, në të gjitha epokat dhe kohët që kanëshkuar, të tashmet edhe ato që do të vijnë, sepse gjithmonë në botë do të dalë ndonjë sivëllam i John Edgar Hooverit.
Al Capone ishte i pashpirt: ai vriste edhe në Ditën e Shën Valentinit
Al Capone konsiderohet si mbreti i së keqes për kohën ku jetoi, sepse në vitet ’20 kur i pati vitet e tij më të lavdishme, ai e tmerroi Çikagon prej krimit të organizuar, duke e dehur me whisky, drogë, terror dhe prostituta. Al Capone nuk pranonte konkurrencë, nuk e njihte konkurrencën. Kush guxonte që t’a konkurronte, Al Capone i jepte mësimin fatal, duke i marrë jetën. Një fatkeqë i tillë ishte në atë kohë Dion O’Banion. Dion O’Banion ishte një gangster që i pëlqente të bënte karierë, profesioni i tij ishte kontrabanda, ai ishte kontrabandist alkooli, kontabandist prostitutash dhe kontrabandist lokalesh kumari. Ishte sepse e mbylli karierën e tij me dy të shtëna pistolete kalibër 38.
Edhe Bugs Moran, zëvendësi i tij, po të ishte më i mençur se shefi i tij, do t’i kishte thrrur mendjes, dhe do ta kishte kuptuar se kishte arritur çasti që ai mbidhte plaçkat dhe të largohej sa hap e mbyll sytë nga Çikago, sepse Çikagi ishte monopol vetëm i Al Capones, gangsterit të gansterëve. Por po të ishte i mënçur Moran, nuk do të ishte zëvendësi i O’Banionit. Me vrasjen e shefit, ai kishte vendosur që ta vazhdonte veprën e tij, sepse Moran mendonte se nuk ishte e njerëzishme që të linte Çikagon dhe mirësitë që rridhnin prej kontrabandës, aq më tepër se atyre ditëve kishte ardhur një ngarkesë e re alkoli,që priste për t’u distiluar dhe për të hedhur në erë disa mijra e mijra dollarë. Ndërsa nga ana e tij Bugs me gjashtë kolegë të bandës së tij po përgatiteshin që të fusnin në xhep shumat marramendëse të dollarëve, në anën tjetër, gangsteri i gangsterëve bënte plane për zhdukjen e Moranit dhe e shokëve të tij. Ishtediçka e ngjashme me atë që sot quhet larje hesapesh midis bandave. Vrasja e Bugs Moranit dhe e shokëve të tij po përgatitej me një dinakëri perfekte, që i shkonte për shtat vetëm kapobandës me emrin Al.
Vrasësit nuk mbanin veshjet e tyre të zakonshme, por ata kishin të veshur devizat e policisë. Ata ishin pesë vetë, të pestë të veshur si policë, kur arritën në garazhin e North Clark Street në Çikago, ku Moran kishte takim me furnizuesit e tij. Moran dhe shokët e tij kujtuan se kishin të bënin me policë të korruptuar dhe filluan të zgërdhiheshin, dhe as që u shkoi mendja që të nxirrnin pistoletat. Por ata u zhgënjyen menjëherë kur pesë policët e rrentë i vunë pas murit të garazhit që të shtatë gansterët dhe mbi ta derdhën 200 të shtëna automatikësh. Të shtatë gansterët mbetëm me zgërdheshje të ngulitur në fytyrë dhe kur arriti policia duhet të jetë habitur me shprehjen e çmendur të fytyrave të tyre. Kjo histori nuk është e shpikur. Është fragment nga historia e shkëlqimit Al Capones. Vrasja e Moranit dhe shokëve të tij u krye në orën 22:00, të ditës së enjte, që datonte 14 shkurt 1929. Pra Al Capone vriste pa marrë parsysh ditën e shenjtë sikur Shën Valentini, që edhe atëhere festohej sikur sot si festa e të dashuruarve. Dikush mund të thotë se 200 të shtëna për vetëm 7 burra është diçka e egzagjeruar. Al Capone përmes breshërive të pafundme të automatikëve kërkonte që të tmerronte edhe rivalët e tjerë, që ata të mos tregoheshin budallë si Morani. Al Capone donte të tregonte se cilido që tentonte t’i bënte konkurencë Mbretit të botës së gangsterëve, e priste një fund i keq, një fund fatal. Sepse Mbreti ishte ai, Big Shot, i quajtur edhe Scarface, në atë kohë Alphonse (Al) Capone, napolitan, i lindur më 1899, i cili vetëm kur i kishte 30 vjeç llogariste një të ardhur vjetore që i kalonte të 100 milionë dollarët.
Si e filloi karierën Mbreti i Gansterëve Al Capone
100 milionë $ llogaritej pasuria e Al Capones. Por të mos harrojmë ama se jemi në vitet ’30, kur dollari në atë kohë kishte një vlerë shumë më të madhe se ka sot. Me këtë oqean dollarësh, Al Capone besonte se mund të blinte gjithçka, duke ndërkallur këtu edhe ndërgjegjet e pista të përfaqësuesave të ligjit, të politikanëve dhe gjykatësave. Prej shumës që e përdorte për të korruptuar njerëzit e shtetit, atij i mbeteshin përsëri plot para për të bërë dhurata bamirësie, për të organizuar bankete perandorake, ku Whisky derdhej si lumë. Për të mos diskutuar pastaj, paratë që harxhonte për lluksin personal, për të blerë këmisha, pizhama prej mëndafshit fantastik, apo për të porositur 20 kostume njëherësh, me çmime marramendëse, të mos diskutojmë pastaj lumin e parave që harxhonte për salltanetet e tualetit, parfumeve, kolonjave sapunëve të rrojes etj. etj. Ky ishte gangsteri i gansterëve “Al”. Ishte i përsosur në llojin e tij, edhe në pasuri, edhe në lluks, edhe në qejfe, edhe në mizori, si masakra që kreu natën e Shën Valentinit. Padyshim Al nuk vriste vetë. Jo Al ishte ideatori i krimeve, ndërsa ekzekutorët e krimeve ishin dorasit e tij. Bile atij nuk i pëlqente që të kishte shumë doras, sepse atëhere do t’i duhej që të organizonte vrasjet e vrasësave, për të zhdukur gjurmët e krimit. Thuhet se Al si dorasin e tij kryesor kishte një far, Claude Maddox. Thuhej se Maddox ishte dorasi i tij më besnik, andaj atij i kishte rënë në pjesë që të kishte zhdukur pjesën më kryesore të konkurrentëve dhe rivalëve të Al Capones, andaj Al Capone në formë të mirënjohjes, përveç shumave të majme të ia paguante çdo larje hesapesh, i kishte dhuruar edhe një revole prej floriri. Mirënjohës ishte Al për besnikët e tij, ndërsa zemërbardhë përpiqej që të shtirej përpara të varfërve, me të cilët përpiqej që të tregohej sa më dorëshpuar. Në kohën e lavdisë të Al Capones, – në të gjitha pronat dhe lokalet e tij të shpërndara si në Çikago, ashtu edhe në Dallas, në Miami, në New York apo në Kansas City, qarkullonte slogani “Al for all”, që do të thotë Al për të gjithë. Në fakt, ky slogan ishte si të gjithë sloganët, sepse e vërteta është se Al ishte vetëm për vete.
E keni dëgjuar atë historinë se kur jevgu u bë mbret vrau babën e vet, kështu edhe me Al. Sepse Al nuk kishte qënë gjithmonë ashtu sikur ishte në vitet e lavdisë së tij mizore, pasi Alfons i rritur në Bruklin, pati një fëmijëri të kaluar në mjerim. I jati i tij, ishte një berber, që mmezi arrinte të siguronte para për të fituar jetën, e kishte lënë Napolin, për të gjetur ditë më të mira në New York, ndërsa i biri, bridhte lart e posht, duke mos b¨üerë asjgë tëdobishme dhe dike frekuentuar shoqëritë më të ndyra të qytetit. Al nuk donte që të vazhdonte shkollën. E ç’i duhej shkolla një të riu që kur ishte 15 vjeç ishte katandisur në një hajdute dhe pjestar i bandës me emër të keq “Five Points”. E ku nuk e gjeje Alfonsin. Vidhte dhe grabiste para, pastaj ngatërrohej në zënkat që përfundonin me gjak midis emigrantëve italianë- portorikanë, midis italianëve dhe çifutëve, midis siçilianëve dhe napoletanëve. Aty ku kriste ishte patjetër Alfonsi, herë si vëzhgues, herë si pjesmarrës, herë si pjestar. Prej atyre kacafytjeve të periudhës të herëshme të rinisë, në zënie e sipër, Alfonsi e pësoi, duke u goditur në thikë në faqe nga kundërshtari. Faqja i mbeti për të gjithë jetën me shenjën si një gërryerje, duke bërë që Alfonsin, për hir të shenjës, ta mbiquanin “Scarface”, që do të thotë “Turi i gërvishtur”. Alfonsi kishte për ta pësuar shumë shpejt prej policisë të New York-ut, por ja që nuk thonë kot se ka qënë gansteri më i shquar i të gjitha kohëve, ku futen këtu edhe kohët tona, kohët moderne të mafies. Për të ndryshuar klimë, për t’u larguar prej atij mjedisi që e dinte shumë mirë se kush ishte Alfonsi, Al preferoi që të ndryshonte gjithçka që e lishte me të shkuarën, duke filluar prej qytetit. Kështu mbreti i ardhëm i gansterëve vendosi që ta braktiste New Yorkun dhe të vendosej në qytetin e Çikagos, të cilin do ta transformonte në pak kohë në qytetin ku ai do të themelonte perandorinë e tij të krimit. Çikago për periudhën kur ndërtoi perandorinë Al Capone ishte një qytet i zymtë dhe i frikësuar.
Çikago dhe Al Capone
Kur Al Capone arriti në Çikago, ai ishte krejtësisht një kriminel anonim, ishte krejtësisht vetëm Alfons, sepse Al Capone do të bëhej kur të vetshpallej mbreti i gansterëve dhe kjo periudhë do të vinte më vonë. Kështu Alfonsi arriti në Çikago, kur ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeç, me një rekomandim nga “Bog Jim” Colosimo-s, napolitan, një mafioz i pasur nga Nju Jorku, që kishte nuhatur se ky djalë kishte të dhëna që ia vlente ta ndihmoje. Colosimo e dërgonte Al Caponen tek Diamond, mik i tij i vjetër, pronar i klubit të natës “Lo Sparviero”, në rrugën e dyzetedytë. Diamond kërkonte një bodigard, që të bënte dhe palaçon, pra një lloj dog&bodi-guard bashkë. Ky djalosh me fytyrë si plloçë dhe sy të shkëlqyer disi, dhe me një një kokë pak tullac e të madhe ndoshta ishte personi që i duhej Diamondit, aq më tepër kur ia rekomandonte Colosimo. Po Alfonsi me Diamond-in e ri nuk arriti kurrë që të gjejë një bos tek i cili të besonte. Siç e thamë që në krye, Diamondi kishte nevojë për një një qen-guard, ndërsa Al ishte talent në fushën e tij, kështu që kishte rregullat e veta. Sidomos nuk i pëlqente që kur vriste të zbulohej. Nuk i pëlqente as të vriste kur ia kërkonte shefi. Bile, nuk i pëlqente që të vriste fare, sepse Al Capone, qysh në rininë e herëshme tregonte një preokupim të veçantë që tek të tjerët ai krijonte një imazh të pastër, të një njeriu bamirës dhe zemër mirë që bën vetëm mirë.
Në pjesën e parë të jetës, ngjante sikur Al Caponen e ndiqte vetëm fati, duke i paraprirë. Kështu, pas Diamondit, fati atë e takoi me njeriun e duhur: Jimmy “Big Pig” Torrio. Që të dy u morën vesh që me takimin e parë, që me shkëmbimin e parë të vështrmeve dhe fjalëve, sikur ngjan nëpër dashuritë me shikimin e parë. Torrio, ndryshe nga Diamond, nuk ishte as gjaknxehtë dhe as i dhunshëm, por një afarist që i interesonte vetëm xhepi. Ai merrej me një biznes të veçantë, por shumë fitimprurës, që ishin shtëpitë e prostitutave. Kështu Al Capones i hapej një fushë e re veprimi, një horizont i ri sikur thuhet në kësi rastesh. E megjithatë Al vet do të deklaronte se ai kurrë nuk kishte shkelur në shtëpitë e Torrios, edhe kur ishte fare djalosh, edhe kur u bë burrë i ri, dhe se merrej vetëm me organizimin, sepse Al e deklaronte veten nj ëkatolik të bindur që e respektonte familjen. Atij i interesonin vetëm paratë, ato që rridhinin si lumë, andaj ai merrej me problemet e kontabilitetit,pasi ishte njeriu më i besuar, ishgte njeriu i zemrës për “Derrin e Madh”.
Kariera dhe lavdia e Al Capones…
Që kur u takuan me “Derrin” – “Big Pig” – gjërat filluan që të mernin për mirë edhe për Al, edhe për bosin e tij. Alfonsi, napoletani i mjerë, ishte bërë ortaku i Derrit, i cili këtë post ia kishte caktuar Al-it, pasi kishte marrë prova shumë bindëse prej tij. Duke u bërë ortak, Al kishte hyrë në një fazë të re të jetës së tij, e cila kishte shumë dallim me fillimet e para të profesionit të tij si hajdut i vogël xhepash. Tani Al kishte hedhur hapa të sigurta në karierën e tij që e priste si gansteri i gansterëve të Çikagos, dhe kur ishte i Çikagos, do të thoshte i të gjithë botës. Duke pasur suksese, Al filloi që në fillim që të dehej prej tyre. A nuk ishin sukseset në fund të fundit rezultat i gjenisë së tij. Në këtë periudhë Al filloi që të pëlqente jetën e lluksit, të vishej mirë, të hante mirë, të frekuntonte hotelet dhe restorantet më lluksoze dhe të shtrenjta, dhe megjithë se harxhonte paratë si lumë, portofoli i tij gjithnjë mbushej, vetëm mbushej. Atëhere fillonte dhe i shkonte mendja se ishte një katolik i ndershëm,i cili mund t’i lante mëkatet dhe fajet duke dhënë lëmosha midis të varfërve. Kështu Al nga njëra anë vriste, nga ana tjetër u falte të varfërve para dhe dhurata, jepte lëmosha nëpër jetimore, nëpër kisha, duke besuar se kështu do t’i shpëtonte shpirti prej zullumeve që do ta çonin në ferr. Por Al Capone nuk u mjaftua vetëm me kaq. Veprimet e tij sot të kujtojnë mafiozët modernë të cilët për të fshehur veprimtarinë e tyre kriminale, përpiqen që të mediatizojnë veprimet bamirëse. Kështu bënte edhe Al Capone, por mos harroni se jemi në vitet ’30 të shekullit të shkuar. Që në atë kohë Al Capone jepte shuma prrallore që shtypi i kohës, t’i përshkruanin aktivitetet e tij bamirëse, ndërsa vetë ganstrein Al Capone ta përshkruanin me fjalë që u shkonin për shtat ëngjëjve si “zemërbardhë”, “zemërflori”, “mirëbërës i njerëzimit”, e të tjera si këto.
Sepse në natyrën e kriminelëve në përgjithësi, një dimension është megallomania, mendjemadhësia, e cila u shfaq tel Al që në fillimet e karierës së tij. Siç e thamë që në krye aferat e tij me Derrin e Madh po shkonin për bukuri. Por fati dukej se nuk ndalej së trokitur në derën e dy ortakëve. Dukej sikur Zoti nuk shihte. Kështu më 17 janarin e vitit 1920, me propozimin e senatorit Volstead, prodhimi dhe tregtimi i pijeve alkolike u bënë ilegal. Mendoni për një çast, a mund të imagjinohej Amerika pa skoç whisky-in ?! Ky veprim ishte marrëzia më e madhe, sepse ligji “Volstead Act” nuk bërë asgjë tjetër veçse rriti etjen e 150 milion Amerikenëve për të pirë pije alkolike dhe për t’u dehur e bërë tapë. “Volstead Act” ishte shansi më i artë për trafikantët dhe kontabandistët e pijeve alkolike. “Volstead Act” e dehu edhe plakun Colosimoqë ta linte New Yorkun e të vinte në Çikago për t’i propozuar Derrit të Madhe dhe Al Capones që të formonin treshen e artë. Plaku Colosimo ishte çmendur prej gëzmit, se tani shansi kishte arritur në derë, dhe atyre nuk u duhej më as të vrisnin dhe as të bënin pisllëqet e njohura, porse veçse të merreshin me distilimin e alkolit. Distilo alkol dhe paratë rridhnin si oqeanët, edhe ai Atlantik edhe ai Paqsor…
Kulmi i lavdisë të Al Capones
Al ishte më i riu i treshes, por ishte truri dhe zemra e treshes. Gjithçka e organizonte ai, gjithçka kalonte me kontrollin e tij, gjithçka merrte viston me firmën e tij. Etja e Amerikanëve për të pirë rritej për çdo ditë, sikur edhe etja e Al Capones për të fituar, për ta rritur numurin e distilierëve të alkolit, për ta rritur prodhimin. Si nëpër filmat e Hollivudit, kamionë me shenjën e Kryqit të Kuq, ( deri këtu ishte pjellore mendja e Al-it ) përshkonin mijra kiometra duke shpërndarë birra, likerna dhe pije alkolike. Al Capone vriste mendjen dhe pillte gjithfarë metodash vetëm për të prodhuar alkol. Alkolin ai e nxirrte nga gjithçka, kur themi nga gjithçka, do të thotë nga ajo gjë që nuk i shkon mendja kurrë njeriut. Ide e tij ishte edhe krijimi i alkolit artificial, me një kosto sa më të ulët, pa marrë parasysh se kjo kosto e ulët kushtonte me jetë njerëzish. Tregu i alkolit i ngjante një përbindëshi që nuk ngopej kurrë dhe gëlltiste gjithçka, pasçka se në fundin e vitit 1920 kishin vdekur rreth 1300 persona, ndërsa rreth 2000 të tjerë kishin humbur të parët, si pasojë e konsumimit të alkolit artificial, i cili kishte pasoja vdekjeprurëse. Al Capone në këtë periudhë ishte edhe ganster, edhe alkimist, edhe alkimisto-supergangster.
Në periudhën e lulëzimit Al Capone paralelisht për të mbrojtur pasurinë e tij, filloi që të aplikonte korrupsionin. Tregojnë se vitet e lavdisë të Al Capones në Amerikë ligji kishte qënë më i nënçmuar se në asnjë kohë më parë. Vite e lavdisë të Al Capones korrespondojnë me vitet-kulm për korrupsionin në nivelet shtetërore, duke filluar prej policëve e duke u ngjitur tek gjyqtarët e më tutje. Fitimet e lahta, pasurimi i menjëhershëm ishin tundim që nuk shkonte pa pasoja, duke të kujtuar nivelet e korrupsionit që ekzistojnë sot në shtetet ku mungon funksionimi i shtetit ligjor, diçka e ngjashme me Shqipërinë e sotme, kur trafikantët dhe kontrabandistët e drogës, mishit të bardhë, klandestinëve jetojnë periudhën e tyre të artë sepse kanë gjetur një mirëkuptim sepse i kanë blerë të gjitha nivelet e larta shtetërore. Në Shqipëri për shembull Ilir Meta i thotë Fatos Nanos “stalinist” dhe ai ia kthen “trafikant”, pa çarë kryet se çfarë është duke ndodhur me shtetin dhe shtetasit e këtij shteti trafikantësh. Edhe në kohën e Al Capones, sipas vlerësimeve zyrtare 70% e funksionarëve që merreshin me ndalimin e trafiqeve ilegale, ku përfshiheshin, roja bregdetare, doganierët, funksionarët e policisë, sherifët, hetuesat e deri tek kryetarët e bashkive, bashkëpunonin me gansterët dhe mbretin e gansterëve Al Capone. Al Capone këtej fitonte, andej me paret e fituara qyl, blinte zyrtarë, të cilët i dorëzoheshin si të ishin prej letre. Kështu askush nuk ishte në gjendje që të pengonte shkëlqimin e shoqërisë Capone-Colosimo-Derri i Madh, shoqëri që një pjesë të fitimeve i investonte nëpër shtëpitë e prostitutave, nëpër bare dhe qendrat ku luhej bixhoz.
Ndërkohë vitet e shkëlqimit të Al Capones shquhen për vitet ku ai i bënte ballë konkurrencës, duke i eleminuar konkurrentët. Kush guxonte të matej me Al Caponen e pësonte me jetë. Në Çikago nuk bëhej shaka, kur ishte fjala për të zëvendësuar vendin e mbretit të gangsterëve, që e kishte në zotërim vetëm Al. Të tjerët edhe kur e shkonin vetëm në mend, e pësonin. Emra që dëshmojnë fundin e palavdishëm, janë ato të kontrabandistëve të njohur me emrat Diamond, Arnold Rothstein, Lucky Luciano, Lepke Buchalter, Frank Costello, Joe Masseria, dhe lista është shumë e gjatë. Deri në vititn 1924 askush nuk guxonte që të bëzante në segmentin New York – Çikago, të cilin e kontrollonte Al Capone dhe banda e tij, segment që kishte kushtuar të paktën 1500 jetë rivalësh. Treshja Capone-Derr-Colosimo kishte nën urdhëra një bandë prej rreth 700 vetësh, një ushtri e vërtetë, që përdorte pa gjë të keq automatikë, mitrolozë dhe revolverë të kalibrave të ndryshëm.
Nga fundi i vitit 1924 nuk dihet se si por e pësoi edhe themeluesi plak i treshes, plaku Colosimo. Po në fillimin e vitit 1925 nga biznesi tërhiqet edhe Derri i Madh, i cili kishte mbetur i shokuar, kur i kishte shpëtuar një atentati për likuidim. Kishte ardhur momenti që Al Capone të mbetej i vetëm i mbuluar nga lavdia e krimit.
Al Capone i vetëm në Perandorinë e Krimit
Në vitin 1925, Al Capone ishte vetëm 26 vjeç. 26 vjeçar Al Capone ishte perandori i perendorisë së krimit, i cili besonte se ishte i paprekshëm. Në sajë të parave të derdhura për publikimin e tij, Al Capone besonte se duke vrarë dhe masakruar, ai mund të ndjehej si një person publik. Duke kujtuar se vetëm 10 vite më parë, ai ishte një hajdut ordiner varfanjak, Al Capone besonte se mund të bënte gjithçka pa e pësuar, pa iu cënuar as gishti i vogël i dorës. Al Capone nuk ndalej me megallomaninë e tij. I dukej se Zoti ishte në qiell dhe Al Capone në Tokë. Duke përdorur injorancën e tij ai kishte shpikur ca rripa lëkure, të cilat i përdorte ai me njerëzit e tij. Në togëzat e këtyre rripave ishin gdhëndur me nga tridhjetë diamantë rrathët që qarkonin gërmën “C”, që ishin inicialet e Capones, qytetit të Çikagos dhe Cicero, vendi ku e kishte selinë shtabi i bandës.
Në vitin 1925, Al Capone ia kishte dalë që të eleminonte që të gjithë rivalët. Ai kishte blerë një pallat në në Palm Island, në Florida. Duke përjashtuar pesëmbëdhjetë shtëpive të lojrave dhe lokaleve të natës ( si të vetmet aktivitete të ligjshme), Al Capone, llogaritej se kontrollonte të paktën një mijë pika shpërndarëse alkolike, po aq lokale bastesh klandestine dhe një zinxhir prej nja pesëdhjetë shtëpish prostitucioni. Askush nuk ka qënë në gjendje që të llogarisë se sa fitonte në ditë Al Capone. Dihet se vetëm për bashkish jepte nga 200-300 $. Në publik gjithmonë shtirej si ëngjëll, ndërsa me bandën e tij tërbohej sikur dikush t’i tregonte se kishte linduir një rival i ri, të cilin Al Capone nuk e duronte dot, sepse ai Al Capone, që do të thoshte “Al for All” – Al për të gjithë, ishte gansteri i gansterëve.
Fillimi i Perëndimit të Al Capones
Në historinë e kryekriminelëve, kryemafiozëve, diktatorëve gjithmonë krijohej ideja se ata do të ishin të paperëndueshëm. Në fakt nuk është kështu. Al Capone fitonte dhe nuk e kthente kokën prapa, vriste dhe shkonte nga njëra vrasje tek tjetra duke besuar se ishte i paprekshëm. Al Capone i virste rivalët duke u ngulur pas shpine thikat dhe besonte se shpirti i tij do të shkonte në parajsë. Në këtë kuadër futet edhe masakra në ditën e Shën Valentinit. Al Capone nuk ndalej dot, duke i tejshkelur që të gjitha rregullat e jetës, duke e transformuar shoqërinë në një shoqëri ku vendin rkyesor dhe të nderuar e kishte imoraliteti, krimi dhe korrupsioni. E pra kështu nuk mund të vazhdohej më. U duk sikur diçka filloi të lëvizë, në favor të ligjit dhe disfavor të Al Capones, në dizfavor të perandorisë së tij, të ngritur me pare të fëlliqur prej kontrabandës dhe krimit të organizuar. Kështu pas vrasjes të Moranit dhe gjashtë shokëve të tij, Gjykata e Filadelfisë gjeti guximin që ta dënonte Al Caponen me një vit burg për shkelje të rregullave, pasi kishte mbajtur në lokal armë të tipit që nuk e lejonte ligji. Pra, Gjykata e Filadelfisë nuk e arrestonte Al Caponen për krimet e kryera, por gjente një marifet për ta pranguar. Burgosja e Al Capones kishte thyer mitin e pathyeshmërisë. Al doli prej burgut më 1930, duke u paraqitur për bandën e tij sikur kishte kaluar një vit në pushime, i gatshëm për masakra të reja. Por në fakt, nuk ishte kështu, sepse në Çikago ekzistonte të paktën një burrë që ëndërronte që ta çonte në karriken elektrike Al Caponen, në vendin që ai e meritonte prej vitesh.
John Edgar Hoover, drejtori i FBI-së ose fundi i Al Capones
John Edgar Hoover, drejtori i FBI-së, Federal Bureau of Investigation ishte njeriu që donte ta çonte Al Caponen në karriken elektrike, sepse John Edgar Hoover dhe Al Capone përfaqësonin kahet e kundërta. I pari ishte gangseri i gansterëve, maskara, vrasësi, harbut, egocentrist, qen, i dyti ishte simboli i shtetit ligjor, i pakorruptueshëm, i drejtë, që nuk e shkelte kurrë ligjin. Por, ndërkohë të arrestoje Al Caponen, që s’kishte lënë zyrtar pa korruptuar, ishte diçka e vështirë. Pra John Edgar Hoover, drejtori i FBI-së i duhej që të gjente një “faj” të lezetshëm. Hoover e kuptonte që autoritetet lokale nuk qenë në gjendje ta dënonin Al Caponen. Duke menduar e menduar pa fund më në fund, Hooper gjen rrjetën për peshkaqenin. Dhe rrjeta në fjalë ishin taksat, sepse Mbreti i gangsterëve të Çikagos mund ta pësonte vetëm prej shkeljeve të ligjeve fiskale, pasi për fitimet prrallore ai paguante taksa qesharake. Mbreti i gansterëve e mori vesh planin e Hooper-it dhe bëri gjithçka për ta evituar rrezikun, por ishte diçka e pamundur, sepse tashmë kishte filluar e tatëpjeta e cila sa vinte edhe bëhej më e pjerrët. John Edgar Hoover, drejtori i FBI-së për të mbedhur fakte kundër Al Capones kishte caktuar një agjentin Frank wilson, për kokën e të cilit nga ana e tij Al Capone paguante 25.000 $, por askush në Çikago nuk e dinte se ku gjendej agjenti wilson, i cili nga ana e tij, kishte mbledhur material të bollshëm për ta përmbysur Al Caponen. Ndërsa nga ana e tij wilson u transferua në një vend të sigurt gjithmonë duke grumbulluar faktet që do të mjaftonin për ta kryqëzuar përpara drejtësisë bosin e krimit. Drejtësia ndërkohë kishte arritur që të siguronte tre dëshmitarë, të cilët i ruante si sytë e ballit, me disa grumbuj policësh dhe agjentësh sekretë. Ndërkohë Al Capone kishte ndërmarrë masat e duhura, ai kishte arritur që të blinte që të gjithë jurinë, kështu Al Capone do të dilte i pafajshëm përballë çdo prove dhe fakti paraqitur prej dëshmitarëve. Por Al Capone nuk e përballonte rrymën që po e çonte në gremisje. Sepse ai nuk e kishte marrë dot me mend se gjyatësi Wilkerson, që duhej të drejtonte procesin, i kishte të njëjtat cilësi me John Edgar Hoover, drejtori i FBI-së , sepse ai ishte i pakorruptueshëm.
Mëngjezin e gjykimit, Al Capone u paraqit në sallë elegant, megalloman, duke hedhur rromuze lart e posht. Por kjo nuk zgjati shumë, deri kur dëgjoi kërkesën e gjykatësit Wilkerson për të ndërruar të gjithë trupin e jurisë. Kërkesa e Edwards shënoi fundin e gansterit të gansterëve, sepse mbreti i krimit, mori goditjen e duhur psikologjike, duke besuar se tashmë kishte arritur ora kur fati e kishte braktisur. Al Capone tani besonte se armët e tij të njohura, si terrori, vrasja dhe korruptimi nuk funksiononin më. Në fund gjyqi e dënoi me 11 vjet heqje lirie dhe me një dëmshpërblim prej 80 milion $.
Fundi i Al Capones
Në moshën 32 vjeçare Al Capone u bë i burgosuri i burgut të Alkatrazit. Ndërkohë Amerika po e kalonte krizën e përçmimit të ligjit dhe pasojave të kësaj mendësie. FBI-ja me goditjet e saj kishte shkaktuar tërmet në botën e krimit. Megjithëse mafia dhe tentakulat e saj po pushtonin aktivitetet ekonomike, trafikun e drogave dhe prostitucionit. Al Capone, megjithëse pa i mbushur ende të 40 vjeçët, ishte një gërdallë e harruar, që askujt nuk i shkonte mendja më për të. Ishte shëndetlig, dhe duke mos paraqitur më asnjë lloj rreziku, autoritetet e liruan më 19 nëntorin 1939, pra kur ishte vetëm 40 vjeça. Nga Alkatrazi dilte si një fantazëm, që i frikësohej edhe hijes së vet.
Natyrisht Al Capone kishte bërë një epokë, ndërsa atë botë flitej se kur doli nga burgu vuante nga sifilizi, tuberkolozi apo kanceri. Në fakt, ai i ishte dorëzuar Ferrit që përpara kohe, që në gjallje. John Edgar Hoover vërtetë nuk kishte arritur që ta çonte Al Caponen në karriken elektrike, por kishte arritur një sukses më të madh, sepse ishte vetë Al Capone që e kishte dënuar veten me vdekje. Ditët e fundit të jetës i kaloi në vilën e tij në Palm Island ku e mbylli kapitullin përfundimisht më 25 janar 1947. Me vdekjen e tij, vdiste edhe simboli më i famëkeq i një epoke famëkeqe, të sëmurë nga imoraliteti, shthurja, korrupsioni dhe dhuna. Me vdekjen e tij, asnjë gazetë nuk e dha as si një lajmtë thjeshtë disa rreshta fundin e rrënuar të gangsterit të gansterëve. Që mbetet fund për të gjitha kopjet e tij, në të gjitha epokat dhe kohët që kanë shkuar, të tashmet edhe ato që do tëvijnë, sepse gjithmonë në botë do të dalë ndonjë sivëllam i John Edgar Hooverit.
(ma.me)