Ritet e besnikërisë, vetëvrasja rituale, trajnimi i vështirë dhe përleshjet e përgjakshme: jeta dhe vdekja e samurajëve, luftëtarëve të epokës së artë të Japonisë. Këto janë disa kuriozitete të ndryshme për jetën e kryekomandantëve japonezë:
1 – Origjina e emrit të Samurait
“Saburau” do të thotë “të shërbesh” dhe nga këtu lindi emri samurai, emri i luftëtarëve shërbëtorë, të cilët në shekujt 11-12, e vendosën veten në shërbim të shoqërisë japoneze nën drejtimin e Shogun, diktatorit ushtarak japonez.
2 – Të pamëshirshëm
Në shekullin e 12, samurajit ishin të njohur si shërbëtorë besnikë të “daimyo”, princave feudal të cilët i përgjigjeshin Shogun. Ata ishin një lloj grupi kalorësiak të pamëshirshëm, me rregulla shumë të ndryshme nga ata të mesjetës në Perëndim.
3 – Në fillim harku, pastaj shpata
Dallimi i parë me kalorësit perëndimorë qëndronte në armatosjen e samurajëve. Ndryshe nga kalorësia europiane që përdornin shpatën, samurait kishin armë të preferuar harkun, pasi sipas tyre ishte armë tepër fisnike. Quhej “shigetou” harku japonez asimetrik, 2 metra i gjatë dhe i përbërë nga metal dhe dru. Harku i tyre arrinte t’i hidhte shigjetat deri në 100 metra larg.
4 – Përgjithmonë besnikë – edhe në vdekje
Luftëtari japonez jetonte (dhe vdiste) sipas një kodi të rreptë sjelljeje, “Bushido” (mënyra e luftëtarit) që rregullonte raportin unik dhe të pandashëm mes samurajit dhe “daimyo”-s së tij, pra superiorit të tij. Në bazë të këtij kodi qëndronte një besnikëri absolute, një përkufizim i qartë i nderit dhe sakrificës së luftëtarit për të mirën e përbashkët.
5 – Vdekje e menjëhershme
Edhe gjesti i fundit i krenarisë dhe lirisë së një samuraji ndiqte rregulla të kodifikuara. Sakrifica duhej të bëhej përpara dëshmitarëve duke përdorur shpatën ose ndonjë thikë për të kryer prerjen në formë “L”-je që fillonte nga kërthiza e vazhdonte më pas lart në të majtë ose në të djathtë.
6 – Fëmijëri e humbur
Trajnimi i pasardhësve të familjeve luftëtare për t’u bërë një samuraj fillonte që në moshën 3-vjeçare. Deri në moshën 7 vjeç, mësoheshin mos të kishin frikë nga vdekja, dhe t’i bindeshin të zotit të tyre si dhe të praktikonin ushtrime për kontrollin e mendjes dhe trupit. Mësonin të përdornin hark dhe shigjetë, shpata druri dhe metali të lehta. Luftonin kundër armiqve imagjinarë, si dhe futeshin në dushe të ftohta në ujëvarë. Në moshën 12-vjeçare mësonin të vrisnin.
7 – Seksi homoseksual dhe femrat samuraj
Lidhja me trajnerët mund të bëhej edhe më e veçantë. Në kohët feudale, praktikat seksuale mes meshkujve ishin në rendin e ditës së samurajëve luftëtarë. Sipas traditës “shudo”, të rinjtë meshkujt kalonin shumë vite në kontakt me meshkujt më të mëdhenj, të cilët gjatë kohës që i mësonin teknikat e luftimit, i prezantonin edhe botën e seksit. Në një shoqëri të tillë të “mbytur” nga idealet mashkullore, nuk kishte vend për dashuri. Gruaja e samurajit zgjidhej në tavolinë, dhe duhet të adoptohej nga një familje samurajësh përpara martesës, në mënyrë që të fisnikërohej origjina. Në Mesjetë në Japoni mund të gjeje edhe femra samuraji: të mësuara me artin ushtarak që në moshë të re.
8 – Punëtorë të përulur
Nëse është e vërtetë që samurajit i përkisnin klasës shoqërore më të lartë, atëherë nuk mund të thuhet me siguri se luftonin vetëm për t’u pasuruar. Ata punonin dhe luftonin për lavdinë e eprorëve të tyre, dhe kishin një pagë të kufizuar. Për të ruajtur statusin e tyre social, samurajit që nuk ishin të pasur nga familja, merreshin me punë të tjera të vogla.
9 – “Gjyshërit e mafies japoneze”
Kur një samuraji i vdiste eprori i tyre, ata në shumicën e rasteve viheshin në kërkim të një padroni të ri. Në gjuhën japoneze quheshin “Ronin”. Por ata kishin dhe një rol tjetër. Ndonjëherë ata i bashkoheshin tregtarëve, fermerëve dhe artizanëve për të mbrojtur fshatrat nga banditët, ose jepnin mësim për arte marciale. Mendohet se kjo lloj policie private mund të jetë zanafilla e “Yakuza-s”, grupit modern mafioz japonez, ku anëtarët kanë të përbashkët me samurajit një sens të fortë besnikërie absolute ndaj bosit të tyre.
10 – Fundi
Në gjysmën e dytë të shekullit të 19, me hapjen e Japonisë ndaj botës perëndimore dhe krijimin e një ushtrie të rregullt rekrutimi, samurajit dolën nga koha. Dy ligjet e vendosura nga perandori Meiji, shënuan fundin e samurajëve: njëri (Dampatsurei) që i detyroi ata të hiqnin flokët karakteristike me bisht, dhe t’i përshtateshin qethjeve të perëndimorëve, si dhe i dyti (Haitorei) që i privonte të mbanin armë në publik, përgatiti “Tirana Observer”. (b.an)