Dje shkova të votoj për Kryetarin e Bashkisë së Londrës. Me vrap, sa mbarova punën, nga treni në shtëpi. Ndera rrobat e lavatriçes, pa hequr rrobat e punës, shtrova tavolinën dhe ndërsa im shoq nisi të gatuajë. Nxitova për te qendra, që të kthehesha në kohë për darkën dhe burri im të shkonte të votonte.
Në qendrën e votimit nuk u vonova fare. Nuk është si në Shqipëri, nuk të kërkojnë as pasaportë për t’u identifikuar. Thjesht thua emrin. Kaq ishin edhe zgjedhjet në Londër. Tani të presim rezultatin. Unë votova për laburistin Khan. Konservatorët janë të cekët.
Khan më pëlqen. Ka pasur shumë debat për faktin që është mysliman, është nga Pakistani. Nuk është i pasur. Djali i një shoferi autobusi, nëna rrobaqepëse, 8 fëmijë, rritur në jug të Londrës. Prindërit e tij bënë gjithçka për ta arsimuar.
Vota është edhe emocionale. Unë kam menduar gjatë këto ditë dhe pse të mos i jap një mundësi Khan, me votën time, për ta bërë realitet planin që ka për Londrën.
Edhe unë jam emigrante. Punoj shumë dhe nuk kam kohë ta jetoj Londrën, përveçse kur marr fëmijët nga kopshti.
Sot ishim te shkolla e djalit të madh, për takim me prindër e mësuesja na kënaqi me fjalët për të. Na tha që ai aq i vogël, i mëson gjëra edhe asaj. Na tregoi detyrat e tij në shkollë. Në njërën shkruante: “Në hapësirë nuk ka gravitet, ndaj astronomët pluskojnë.” Morëm edhe të voglin me vete. Ai kontrollonte lodrat në klasë e lexonte libra. I madhi luante afër tavolinës së mësueses e i mbante veshët hapur e qeshte buzë më buzë sa herë dëgjonte lavdërime.
Rrugës për në shtëpi ishte një mot i mrekullueshëm, qielli rozë, pemët e qershive plot me lule, djemtë ndiqnin njeri-tjetrin. Pastaj shkuam te restorant ynë i preferuar e blemë ‘fish&chips’ e i kullufitëm në shtëpi.
Kjo është mundësia që Londra më ka dhënë. Ndaj i detyrohem të votoj dhe t’i jap një mundësi Sadiq Khan. Uroj që të fitojë sot. Nëse fiton, ka ndikuar edhe vota ime./dritare.net
javanews/ a.k