Nga Ben Andoni
As mos mendoni se mund ta gjeni lehtë “Kjasinën”, këtë libër me tregime të shkurtra të Anton Pashkut. Ka qenë një vëllim i kahershëm, por nëse shkoni në Kosovë, mos hezitoni ta kërkoni! Dhe, mos u çuditni që të mos e gjeni. Nuk kemi vendosur çmim, pasi atëherë, kur është botuar, në shumicën e rasteve nuk vendosej çmimi.
Dhe, jo thjesht se libri është botuar mbi 40-vjet më parë, por se “Kjasina” nuk gjendet më, ashtu si gjenden me vështirësi të gjithë librat e Anton Pashkut, ndarë nga jetë shumë e shumë vite më parë.
Redaktorët e vëllimit janë dy poetë të mrekullueshëm në Kosovë, Fahrudin Gunga dhe Rrahman Dedaj. Libri është një përmbledhje me tregime të zgjedhura të autorit, të cilat e përshfaqin me një masë krijimtarie modeste (pak tregime), por me cilësi vërtetë të lartë. Pashku bëri një letërsi të simbolit, e kjo mbetet e spikatur në krijimtarinë e vet, megjithëse ekziston një tendencë në Kosovë për ta harruar, ashtu si në Shqipëri për ta neglizhuar krejtësisht dhe për ta injoruar.
Në këtë libër, Anton Pashku ka zgjedhur dymbëdhjetë tregime të vetat, të cilat i ka rreshtuar në katër cikle. Bota e rrëfimit të tij lidhet me preokupimin e për fatin tragjik të njeriut në përgjithësi, e gjitha e veshur me rrekjen e tij insistuese për simbolin. Jo më kot personazhet e tij nuk kanë emra. Ata përcaktohen me përemra ose me emra të thjeshtë dhe përcaktorë.
Mjeshtëria e Anton Pashkut nuk është te gjetjet ose te tregimet në vetvete, që në shumicën e rasteve tek autorët tanë të kohës, përbëjnë thjesht fabula me rrëfime, synimi i tij është që të kumtojnë.
Tek Anton Pashku shpesh fabula mungon krejt, në atë që njihet si fabulë klasike, por në asnjë mënyrë nuk mungon e ashtuquajtura përmbajtje, që vjen pas zbërthimit të figurës. E vështirë është të vendosesh dhe të mbartesh në regjistrin e rrëfimit të tij, pasi lexuesi i veprës së Pashkut duhet të jetë një i tillë me kërkesa të larta artistike dhe që e shijon dhe e kupton veprën letrare.
Autori “të lodh” në kuptimin e përgjithshëm për përdorimin e një shtresëzimi simbolikash, ndaj problemi kryesor është mënyra e leximit të tij. Duhet të njohësh këtë kod dhe pastaj të gjykosh nëse do të vazhdosh të përpiqesh që ta njohësh. Nuk janë të pakët, ata që heqin dorë menjëherë.
Në gjykimin e përgjithshëm të kritikës kosovare, Anton Pashku, mbahet si lëvruesi më i mirë i tregimit të figurshëm. Aqsa edhe leximi i tij është i tillë saqë mendohet sikur lexon një vepër nga fillimi deri në fund si figurë. Një tregim i tillë në rastin tonë është “Kulla”. Ky tregim përmban simbolikën e simbolit të kullës si qëndresë, që ai i përball në krijimin e vet konceptin e kules, e cila mendohet si një rrezik që e konfronton atë vazhdimisht. E gjithë simbolika e shtresëzuar, që i shkon një simboli të vetë, nuk përdoret krejt rastësisht, por të gjitha kanë një kuptim të mirë-menduar. Në disa vende, ai manovron edhe me lojra fjalësh që e përçojnë më tej idenë e tij. Të duket, kur lexon tregimet e tij (e përsërisim duhet të lexohen disa herë), se të duhet të gjesh fjalët kyçe dhe pastaj të përballësh.
Anton Pashku nuk mendoi të kishte famë në Kosovë dhe as në Federatë po e po, pasi edhe po ta kishte, për çfarë do t’i duhej vallë në atë status shtetëror, që kishte gjithë krahina e tij asokohe. Oreksi i tij për letërsinë cilësore ishte shumë i madh, aqsa nuk e përmbante edhe vepra e zakonshme. Nga ana tjetër, ai u shmang me kujdes nga letërsia që kërkonte suksesin e beftë. Kërkimi dhe përpjekja e tij për simbolikën, përshkon dhe kërkon shumë udhë.
Ndaj, ai përpiqet të përshkruajë udhë të panjohura, si edhe të mbajë individualitetin e tij, por nga ana tjetër edhe të qetësojë vrundujt e pandalur t’vet.
Nga ana tjetër, vokacioni i tij artistik e dërgon në udhë të pashkelura duke dashur që të hulumtojë mundësitë e mëdha që paraqet gjuha shqipe. Duhet vlerësuar për mënyrën sesi e përcjell ai gjuhën shqipe, si edhe trajtimin e këndshëm të saj. E të mendosh se punoi në kohën e territ të përbashkët politiko-kulturor të Shqipëri-Kosovës.
Duhet të shtojmë edhe faktin se: në kohën kur letërsia ishte e angazhuar si në vendin e tij, pa përmendur Shqipërinë, ai bën përpjekjet e veta vetmitare që të shkëputet nga e përgjithshmja dhe të gjejë cilësitë më të mira të qenies humane. Ai punon për njeriun, duke dashur të futet në zgafellet e nënvetëdijes, që të ndijnë disa herë për të gjetur simbolikën e drejtpërdrejtë, materien e tij të dashur.
Anton Pashku duhet të lexohet disa herë, sidomos në këtë kohë, që dhe nëse nuk e kupton është mirë t’i rikthehesh në mënyrën sesi e kanë parë bashkëkohësit e vet kritikë, mu ata të cilët kanë komunikuar dhe e kuptuan nga afër veprën e tij, kjo për të njohur fillimisht çelësin e veprës së tij.
Pashku është vërtetë tejet i vështirë në perceptimin e parë, por ndoshta fillimisht duhet ta njohësh me kujdes që prej dialogu . Ka një sens të fshehtë humori që i bën t’i shpëtojë vrundujve të pafundmë të shpirtit të vet, ku mundohet të gjejë fabulën e fshehur thellë. Edhe pse në fakt, vepra e tij shpesh nuk ka fabul mirëfilli.
“Të gjithë kemi lindur me nga një hundë!”
“Por të gjithë nuk vdesim me të! Dikush e humbet herët, kurse dikush, madje, harron se e ka, kështu, që në të vërtetë jeton pa të”.
Po ç’i duhet vallë fabula në këtë botë, ku të gjithë na duket sikur jemi fabul të kotësisë. Mundohuni dhe gjejeni Pashkun! javanews/ a.k
Titulli: Kjasina
Autor: Anton Pashku
Gjinia: Proza
Botues: Rilindja
Faqe: 206