Një 27-vjeçar për të cilin policia kishte informacion se dispononte lëndë narkotike, ka kundërshtuar uniformat blu gjatë momentit të ndalimit, duke u përleshur e duke lënë të plagosur lehtë një efektiv me një mjet prerës.
Po ashtu edhe policia është kundërpërgjigjur, ku i riu Agron Xhaxhaj mbeti i plagosur lehtë në këmbë me armën e shërbimit të policit.
Ngjarja ndodhi në qytetin e Fierit. Policia kishte marrë informacione në rrugë operative se Agron Xhaxhaj me banim në Roskovec dhe Ergent Braçe 28-vjeç me banim në Fermë-Çlirim të Fierit, disponon kanabis në lagjen nr.2 në Roskovec.
Në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Street” policia sekuestroi 7.2 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa dhe arrestoi në flagrancë 2 autorët.
Por gjatë momentit të arrestimit, Agron Xhaxhaj ka kundërshtuar me dhunë punonjësin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”./a.m.