Zgjedhjet parlamentare më 5 qershor në Maqedoni nuk do të mbahen! Kjo, për shkak se dy partitë më të mëdha shqiptare të Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit dhe Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit, vendosën që të mos marrin pjesë në këto zgjedhje, njofton Expressi.
Mësohet se e vetmja parti që ka paraqitur lista të kandidatëve për anëtarë të këshillave zgjedhorë është VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, që do të thotë se, po të shkohej në zgjedhje, ato do t’i organizonte dhe i vetmi pjesëmarrës në to do të ishte partia e Gruevskit.
Portali Plusinfo.mk nga burime të besueshme në Këshillin Shtetëror të Zgjedhjeve të Maqedonisë, njoftoi se BDI dhe PDSH në këtë institucion nuk kanë paraqitur propozimet për anëtarë të këshillave zgjedhorë komunalë, me çka kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. (b.an)