Përmes një deklarate për shtyp, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore i drejtuar nga Gjergj Bojaxhi e ka cilësuar incidentin e sotëm mes aktivistëve dhe gardës në ambientet ku po prezantohej projekti për stadiumin e ri, si një shenjë se edhe transparenca është dhënë me koncension nga maxhoranca. Në deklaratë shkruhet se pa asnjë arsye të drejtë, punonjësit e gardës ndaluan personat e ftuar në mbledhjen e KKT-së, duke u sjellë si një shtet i ngjashëm me Korenë e Veriut.
“Çuditërisht, pak para nisjes së aktivitetit, rojet private të hotelit nisën të përdorin forcën fizike për të penguar hyrjen e aktivistëve në katin e tretë të hotelit, ku zhvillohej edhe takimi. Forca e muskujve nuk kurseu as gazetarin e njohur Ylli Rakipi, i cili rezultonte i ftuar zyrtarisht nga ministria e Zhvillimit Urban në këtë mbledhje, pasi sipas rojeve private, duhej të merrej leja nga pronari i hotelit ?!
Mesa duket, edhe transparenca e qeverisë është dhënë me koncension tek privatët ashtu si shumë shërbime të tjera publike.
Mbledhja e KKT u transmetua live me regji qendrore për publikun, por duke i hequr të drejtën çdokujt që mendon ndryshe nga kryeministri që të ngrinte shqetësimet apo ofronte edhe sugjerimet përkatëse. Ky model dëgjese publike, i denjë vetëm për Korenë e Veriut, nuk plotëson as standartet minimale të transparencës mbi një vendim që do të ndikojë në kompleksin më të rëndësishëm arkitekturor dhe urban të kryeqytetit”- shkruhet në deklaratë.
Deklarata e Plotë:
Kryetari i Forumit të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore (FMTK) Gjergj Bojaxhiu, aktivistë të shoqërisë civile si dhe gazetarë të njohur në vend, ishin të pranishëm në orarin e nisjes së aktivitetit me qëllim pjesëmarrjen në prezantim.
Çuditërisht, pak para nisjes së aktivitetit, rojet private të hotelit nisën të përdorin forcën fizike për të penguar hyrjen e aktivistëve në katin e tretë të hotelit, ku zhvillohej edhe takimi. Forca e muskujve nuk kurseu as gazetarin e njohur Ylli Rakipi, i cili rezultonte i ftuar zyrtarisht nga ministria e Zhvillimit Urban në këtë mbledhje, pasi sipas rojeve private, duhej të merrej leja nga pronari i hotelit ?!
Për fatin e keq, Garda e Republikës dhe përfaqësues të institucionet e tjera publike që organizonin mbledhjen, qëndruan spektatorë të këtij dhunimi, i cili ndodhte përpara dhjetëra kamerave televizive. Partneriteti publik-privat apo të famshmet PPP, funksionuan në perfeksion edhe këtë herë për të mbyllur gojën e shoqërisë civile dhe aktivistëve publikë. Mesa duket, edhe transparenca e qeverisë është dhënë me koncension tek privatët ashtu si shumë shërbime të tjera publike.
Mbledhja e KKT u transmetua live me regji qendrore për publikun, por duke i hequr të drejtën çdokujt që mendon ndryshe nga kryeministri që të ngrinte shqetësimet apo ofronte edhe sugjerimet përkatëse. Ky model dëgjese publike, i denjë vetëm për Korenë e Veriut, nuk plotëson as standartet minimale të transparencës mbi një vendim që do të ndikojë në kompleksin më të rëndësishëm arkitekturor dhe urban të kryeqytetit. Arroganca publik-privat, e cila u shfaq sot në qendër të Tiranës, nën syrin e dhjetra kamerave televizive, është një ogur i keq për vendimet e mëtejshme me interes publik.
FMTK i kërkon Këshillit të Ministrave dhe institucioneve të linjës organizimin e dëgjesave të vërteta publike mbi projektin e stadiumit të ri kombëtar. Pasi të hidhet dritë mbi detajet e mëtejshme të këtij vendimi, do të mund të ofrohen zyrtarisht edhe vërejtjet dhe sugjerime përkatëse profesionale. FMKT dhe aktivistët civilë dëshirojnë që ekipi kombëtar dhe klubet e tjera vendase të futbollit të luajnë në një kryeqytet evropian me një stadium modern, dhe jo në një stadium të ri që dëmton qytetin.