Partia Demokratike ka akuzuar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për abuzime në tenderin për vendosjen e matësve të rinj.
Në një deklarate nga selia blu, zëdhënësja e PD Ina Zhupa denoncoi këtë fakt, duke thënë se ku shkojnë 6 miliardë Lekë, kur kostoja për vendosjen e matësve është 1 miliardë Lekë, ndërkohë që OSHEE ka dhënë 7 miliardë Lekë.
Zhupa u shpreh se OSHEE-ja është banda e kryeministritt Edi Rama, që sipas saj i është vërsulur popullit duke i marrë edhe kacidhen e fundit.
Deklarata e zëdhënëse së PD Ina Zhupa
Zbulohet një prej tenderave më skandalozë të OSHEE-së së Edi Ramës, të bandës që po rrjep shqiptarët çdo muaj, me dhunë me arbitraritet, me mbifaturim.
Shihni pak se çfarë bën banda e Edi Ramës me paratë e gjakut të shqiptarëve.
7 miliardë lekë ka dhënë kreu i kësaj bande, që foli dhe sot për suksese imagjinare, për vendosjen e 50 mijë matësave.
Sipas tregut, vendosja e një matësi një fazor kushton 10 mijë lekë. Ndërsa vendosja e një matësi trefazor kushton 20 mijë lekë. Pra në rastin e shpenzimit maksimal, instalimi i matësave do të shkonte 1 miliardë lekë, per 50 mijë matësa, sipas kostos së tregut.
Por Çela i Ramës, ka dhënë 7 miliardë lekë.
Ku shkojnë 6 miliardë lekë?
Ku shkojnë 6 miliardë që u merren shqiptarëve, të pamundurve çdo muaj, ku askush nuk dëgjon për ankesat dhe askush nuk i pret abonentët për sqarime.
Sigurisht, këto miliarda shkojnë në xhepat e Ramës e oligarkëve të tij.
Ky skandal thellohet edhe më shumë, kur vendosjen e këtyre matësave po e bëjnë punonjësit e OSHEE.
Punonjës që paguhen me taksat tona, ndërkohë që paratë i merr klienti i Edi Ramës që ka fituar tenderin. Pra fitimi i tij rritet edhe më shumë. Hisja që ndajnë oligarkët zmadhohet edhe më tepër.
Kjo është OSHEE e Ramës, kjo është banda që i është vërsulur popullit duke i marrë dhe kacidhen e fundit, për ti ndarë paratë me miqtë dhe klientët.
Shpejt, populli i dhunuar e plaçkitur deri në qindarkën e fundit do ta thotë fjalën, dhe koha që këta hajdutë të japin llogari dhe para ligjit nuk është e largët.