Në kuadër të vizitës në Bruksel, Presidenti Bujar Nishani, organizoi një pritje me përfaqësuesit e shoqatave shqiptare që funksionojnë në Bruksel dhe rrethina si dhe me intelektualë e personalitete të tjera të botës së biznesit dhe të kulturës që janë pjesë e diasporës sonë në Belgjikë.
Në fjalën e tij, Nishani i kushtoi vëmendje të veçantë orientimit perëndimor të kombit tonë në të gjitha kohët si dhe rëndësisë së zhvillimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar të diasporës sonë, e cila nuk është e paktë në numër anembanë botës.
Gjatë takimit të përzemërt me bashkatdhetarët në Bruksel, Kreu i Shtetit theksoi mes të tjerash se “diaspora jonë është një vlerë e çmuar kombëtare, e cila ngaherë ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me fatet e kombit dhe të Atdheut”.
“Pa kontributin e diasporës, zhvillimet dhe ndryshimet demokratike në Shqipëri, si dhe liria dhe pavarësia e Kosovës do të kishin qenë shumë më të vështira për t’u arritur”, u shpreh ai.