Nga Andi Malasi
I njohur si model i vijës së ashpër dhe “të fortit” në politikë Sali Berisha nuk ka surprizuar aspak me thirrjet e tij të përjavshme nga foltorja e parlamentit për “Revolucion popullor me të gjitha format”. Për të mbajtur të “karikuar” militantët tashmë duhej një retorikë edhe më e ashpër dhe kërcënuese. Por thirrja e tij për armatosjen e popullsisë civile e argumentuar si masë “për t’u mbrojtur nga bandat” kaloi çdo cak dhe vuri në lëvizje ambasadorët.
Me sa duket i papërgatitur për këtë reagim që bëri jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, Berisha u detyrua të bëjë një farë tërheqjeje: Jo nga presioni për armatosje, por propozimin e vendosi në korsi ligjore. Gafën u mundua ta zbusë duke sjellë si shembull modelin amerikan për mbajtjen e armëve me leje nga civilët. Madje ky propozim tashmë është kthyer në kauzë të opozitës. Por çfarë ka prodhuar modeli amerikan. Mjafton ti referohemi mediave të këtij vendi, dhe shohim se tragjeditë janë thuajse të përditshme me autorë njerëz normalë që posedimi i një arme në një moment të vështirë psikologjik i ka kthyer në kriminelë.
Mediat amerikane raportuan për një ngjarje tronditëse ku një fëmijë vetëm 2-vjeçar, shkrehu armën që mbante në makinë nëna e tij duke e lënë atë të vdekur në vend. Të shumta janë rastet kur nxënës apo studentë kanë bërë kasaphana në ambjente arsimore. Ngjarje të tilla kanë mbajtur të hapur debatin në Shtetet e Bashkuara për ligjin e armëve. Përherë e më shumë po shtohet presioni kundër armëmbajtjes nga civilët.
Edhe pse as vetë demokratët nuk e kishin menduar ndonjëherë një nismë të tillë, ku u detyruan të investohen pas gafës së Berishës, ata as më shumë e as më pak po mbrojnë një “projekt” që edhe në vendin me mekanizmat më të forta të kontrollit duket i dështuar dhe problematik.
Gjithmonë nëse e kanë seriozishit nismën demokratët, pyetja që ngrihet është se si do ta përshtasim ligjin me realitetin shqiptar? Apo do bëjmë të njëjtën gjë siç bëjmë prej 25 vitesh, kopjojmë ligje “shumë të mira” nga vendet perëndimore dhe i implementojmë në një mjedis të destinuara për të dështuar.
Larg qoftë-nëse grupimi që është alternativa e shqiptarëve e ka seriozisht këtë propozim, a i ka analizuar disa të dhëna rreth treguesve të konflikteve në shoqërinë shqiptare?
Çfarë do të ndodhte nëse civilët paiseshin me armë…?
Nëse i referohemi statistikave, vitin e kaluar 39 % e vrasjeve ndodhën për motive të dobëta. Pra një konflikt i çastit në rrugë, dhe personi i armatosur nuk ka nguruar ta përdorë nga gjaknxehtësia. Konfliktet e çastit janë me mijëra në shkallë vendi, dhe vetëm një pjesë e tyre përfundojnë në ndjekje penale.
Nëse qytetarët do të kishin armë, a mund të mendohet se sa krime të rënda mund të ndodhnin nga gjaknxehtësia?
A i ka analizuar opozita këto të dhëna kur kërkon të armatosë civilët…?
Referuar sërish të dhënave zyrtare, vetëm në një muaj në Shqipëri policia ndërhyn mesatarisht në rreth 3500 konflikte në muaj, prej të cilave ¼ lidhen me problemet e pronësisë. Çfarë do të ndodhte nëse të gjithë do të kishin armë?
Po rastet e dhunës në familje a i ka studiuar opozita kur propozon nismë ligjore për armatosjen?
Vitin e shkuar 31 % e vrasjeve ishin krime brenda familjes. Në të gjitha rastet autorët kishin përdorur armë zjarri. Ndërkohë, vetëm në një ditë, policia procedon të paktën 10 raste të dhunës në familje. Numri më i madh i rasteve nuk denoncohen fare.
Nëse familjet shqiptare do të kishin armë, çfarë do ndodhte gjatë konflikteve masive në familje në momente gjaknxehtësie…?
Nëse shqiptarët do të kishin armë, çfarë do të ndodhte kur qytetarët konfliktohen për një gërvishtje makine…?
Çfarë do të ndodhte kur qytetari i armatosur ligjërisht ndesh në rrugë një person me të cilin ka konflikt të vjetër…?
Nuk mendoj se ata që sot propozojnë ligj për armatosjen e popullit i’a kanë bërë vetes këto pyetje. Jo, sepse propozimi për ligj është thjesht “gjethja e fikut”, -siç do të thoshte Berisha, për të mbuluar një gafë.
Po, atë që ndodhi pas shpërthimit të depove të armëve në vitin 1997 e kanë menduar kur propozojnë ligj për armatosjen…?
As më shumë e as më pak, ligjërimi i armatosjes do të ishte ligjërimi i çmendurisë që do të sillte pasoja katastrofale!