Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Turqisë, Ugur Unal flet për dokumentacionin osman, që lidhet me kujtesën historike të dy vendeve, e që gjendet në të dy arkivat respektive, Si do të hulumtohet, kur do të fillojë dixhitalizimi i tij dhe si do të procedohet me kërkimin e tyre…
Nga Ben Andoni
Drejtori i përgjithshëm i Arkivave Turke ka pasur mundësinë t’i kthejë vizitën homologut shqiptar në Tiranë, Gjet Ndoj dhe të mërkurën ka bërë të njohur të gjithë modalitetet e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. “Nuk kemi dokumente historike të klasifikuara me Shqipërinë, ndërsa jemi të hapur për bashkëpunim dhe studimin e dokumenteve që gjenden në arkivat tona dhe kapin një shifër realisht shumë të madhe”, ka thënë ai për Javanews.
Vizita e javëve të fundit në sektorë të ndryshëm të Arkivit të Dokumenteve Osmane, ku është parë nga afër proceset e punës së kolegëve turkë i kanë hapur udhë bashkëpunimit historik shqiptaro-turk. Por është TIKA, struktura e promovimit ndërkombëtar të kulturës turke, e cila ka marrë përsipër ndihmën për projektin.
Ndërkohë të dy vendet po punojnë për dixhitalizmin e të gjithë kësaj trashëgimie, ku nga arkivat shqiptare do afrohen materiale të periudhës sonë të pavarësisë dhe pak para saj, kurse nga pala turke dokumente shekullore, që lidhen me administrimin e vendit, por edhe të figurave të ndryshme historike. “Vizita jonë në Shqipëri do të ndihmojë që t’i japë shtysë dixhitalizimit të materialit dhe pastaj edhe shqyrtimit të tyre nga specialistë të fushës”, ka thënë z.Unal.
“Ne kemi rreth 300 osmanologë që kanë njohuri sipërore të gjuhës osmane dhe me të cilët do mund të bashkëpunojmë dhe me arkivat shqiptare që do afrojnë gjithashtu specialistët e tyre. Por ne do të hulumtojmë edhe materialet tona që do t’i shikojmë se janë të dobishme dhe që i nevojiten historisë sonë”, ka thënë ai.
Kurse përfaqësuesi shqiptare, drejtori Gjet Ndoj e ka vlerësuar në shkallën më të lartë bashkëpunimin mes arkivave dhe ka thënë se kjo trashëgimi e vyer do të ndihmojë shumë në historinë kombëtare. Por ai ka gjetur të thotë dhe fjalët më të mira për kolegun turk, që i është përgjigjur kësaj ininciative të jashtëzakonshme për zbardhjen e historisë mes dy vendeve tona.
Në arkivat perandorake në Stamboll, llogariten të jenë 980 regjistra, që flasin për të gjithë historinë e Perandorisë Osmane, prej të cilëve 57 janë për shqiptarët, pra, për territorin e 4 vilajeteve të territoreve shqiptare. Ashtu si dihet dhe më parë, regjistri i parë i këtij fondi u përket shqiptarëve prej vitit 1431. Falë këtij bashkëpunimi, shqiptarët kanë marrë
57 regjistrat, që tashmë janë pjesë e Arkivit të Shtetit “dhe shumë shpejt, pasi të kalojnë në procesin e përpunimit tekniko-shkencor, të katalogimit dhe futjes në sistem, do të jenë në dispozicion të studiuesve dhe të qytetarëve të interesuar”, ka thënë Ndoj, pak ditë më parë.
Dokumentacioni turk
Defterët osmanë janë dy llojesh, të karakterit të përmbledhës (ixhman) dhe të karakterit të hollësishëm (mufasatë). Në të parat, kanë qenë të shënuara për çdo vendbanim numri i shtëpive, zotëruesit e pronës, timarët dhe sasia e taksave; kurse në ata, që njihen si të hollësishmit, ofrohen të dhëna më të detajuara të taksave, emrat e kryefamiljarëve, të beqarëve dhe të të vejave, pasi të gjithë ishin subjekt i taksimit.
Dokumentat historike që priten nga Turqia do të hedhin dritë për shumë personazhe historike të njohura që kanë qenë në piramidën osmane historike, njëri prej të cilëve është dhe themeluesi i shtetit shqiptar, siç është Ismail Qemali, por edhe shumë të tjerë.
Në arkivat turke dokumentet janë të deklasifikuara dhe janë në dispozicion të studiuesve, pa asnjë kufizim, sipas delegacionit të lartë turk. Ndaj, që nga fillimi i vitti 1900 deri në ditët e sotme, mijëra studiuesve nga më shumë se 80 vende, përfshirë SHBA, Angli, Francë, Kanada, Izraeli, Hungaria, Holanda, Japonia, Spanja, Italia, Rusia, Bullgaria , Shqipëria, Algjeria, Kuvajti, Egjipti, Siria, Arabia Saudite, Greqia, Irani dhe Rumania kanë kryer dhe janë ende duke kryer kërkime mbi Arkivat osmane, që janë nën juridiksionin e Kryeministrisë. Parimi bazë i tyre është mësimi i madh i themeluesit të Republikës së Turqisë, Qemal Atatürk, i cili ka thënë se: “Të shkruash historinë është po aq e rëndësishme sa për ta krijuar atë. Nëse shkrimtarët nuk janë besnikë ndaj krijuesve të historisë, e vërteta e pandryshueshme mund të mashtrojë njerëzimin. “
Turqia arkivore
Kombi turk ka një histori të gjatë dhe një kulturë shumë të pasur, për të cilin ka dokumente në arkivat e ndryshme të vendit. Republika e Turqisë ka trashëguar një material të pasur arkivor nga Perandoria Osmane, e cila arriti të pushtojë tri kontinente gjatë më shumë se 600 vjetësh dhe kështu përmban materiale historike për shumë vende. Ky koleksion është një burim i rëndësishëm, jo vetëm për Turqinë, por nga ana tjetër edhe për identifikimin e historisë kombëtare të shumë kombeve, të cilat shpallën pavarësinë prej tyre.
Arkivat osmane kanë vlera të jashtëzakonshme për kulturat, ekonominë dhe historinë politike të Lindjes së Mesme dhe asaj të Afërt, Ballkanit, Mesdheut, Afrikës Veriore dhe vendeve arabe, të cilat formuan shtetet kombëtare pasi u shkëputën prej saj.
Republika e Turqisë e ruan me fanatizëm trashëgiminë e pasur historike, lënë trashëgim nga Perandoria Osmane dhe është një nga vendet me arkivat më të pasura kombëtare, si në aspektin sasior por edhe atë cilësor.
Për historianët e gati 40 vendeve është gati e pamundur që të shkruhet historia individuale e më shumë se 40 vendeve të ndryshme të dala jashtë strukturës së Perandorisë Osmane pa bërë hulumtime në Arkivin osman të Përgjithshëm.
Arkivi turk
Serioziteti i qëllimit filloi me ndërtimin e një ndërtese moderne të arkivit, që u bë pas një Iradeje (urdhri) të Sulltan Abdylmexhid të 19 Nëntorit 1846 (1262 sipas epokën islame). Ndërtesa ka përfunduar në vitin 1849 (1265). Ndërtesa është ideuar nga mbikëqyrjen e arkitektit italian Fosatti dhe një komisioni të posaçëm me emrin e “Mexhlis-i Muvakkat” (Kuvendit të përkohshëm), që do të shikonte si mbaheshin dokumentet në të dhe për të konstatuar mënyrën sesi do të përdoreshin ato.
Kjo marrëveshje ka vazhduar deri më 1923, kur “Hazine-i Evrak” (Thesari i Dokumenteve) u riorganizua me emrin e “Zyrës së Arkivave ” (Mahzen-i Evrak Mümeyyizliği) në kuadër të Drejtorisë së Sekretariatit të Kryeministrisë (Başvekalet Kalem-i Mahsus Müdüriyeti) në periudhën pas përfundimit të Perandorisë Osmane dhe para shpalljes së Republikës. Dhe për të siguruar në praktikë sesi dokumentet dhe objektet që i përkisnin Zyrës së Vezirit të Madh janë ruajtur, Mahmud Nedim, shefi i fundit i Thesarit të dokumenteve të Perandorisë Osmane, u emërua si shefi i zyrës.