Zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj është zyrtari i parë që është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës për tre koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë. Ai është paraqitur përballë prokurorit Endrit Bime, paraditen e të martës, ku ka dhënë sqarime për më shumë se dy orë.
Zyrtari ka deponuar me cilësinë e personit që ka dijeni për hetimin, pasi në një nga koncesionin ka qënë kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Rjepaj ka sqaruar të gjithë procedurën ligjore që është ndjekur në dhënien e këtyre shërbimeve tek privati.
Në ditët në vijim, hetuesit pritet të marrin në pyetje Arben Gjatën, Genci Byrazerin dhe Petro Mersinin anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Prokuroria, gjatë kësaj periudhe, ka sekuestruar disa materiale në Ministrinë e Shëndetësisë, që kanë të bëjnë pikërisht me këto tendera.
Grupi hetimor thotë se do të pyeten të gjithë zyrtarët, të cilët kanë firmsur për këto koncesione dhe nuk është i përjashtuar askush.
Hetimi për këtë çështje filloi kryesisht nga Prokuroria, pas denoncimeve të media për shkelje ligjore në këto tendera, shkruan Dita. Koncesionet që po hetohen janë tre; ai i check up -it, hemodializë dhe strerilizimi i pasijeve kirurgjikale.