Vizita e Barak Obamës në Londër këtë javë mund të jetë thirrja e tij e fundit si president i SHBA. Me shumë gjasë, do të jetë hera e fundit që darkon me Mbretëreshën, në Kështjellën Uindsor.
Por ndalesa e shkurtër e Obamës, rrugës për në Gjermani nga Arabia Saudite, do të mbahet mend jo për pompozitetin apo madhështinë, por për thirrjen e tij të jashtëzakonshme drejtuar votuesve britanikë, që të mos e lënë Bashkimin Europian, në referendumin kombëtar të qershorit.
A është miku më i mirë i Europës?
Sa guxim që ka! Shumë britanikë euroskeptikë kanë shprehur tashmë habinë e tyre, në mos pakëz zemërim, për ndërhyrjen e parashikuar të Obamës në atë që e shohin si punë të brendshme.
Boris Johnson, kryebashkiak i Londrës dhe një pasardhës i mundshëm i kryeministrit David Cameron, e quajti Obamën “hipokrit”. Asnjë politikan amerikan nuk do të lejonte një autoritet të huaj, të pazgjedhur, si Komisioni Europian, që të shkelte ligjet e SBA dhe kontrollet kufitare, deklaroi Johnson.
Obama është tashmë në një situatë të sikletshme, për arsye më të thella. Pavarësisht premtimeve elokuente për të qenë miku më i mirë i Europës, të bërë në një fjalim të famshëm që mbajti në Berlin kur ishte ende Senator, në korrik 2008, Obama ka qenë një zhgënjim i madh.
Atëherë, çfarë të drejte ka ai t’i japë leksione Britanisë për Europën, se si t’i bëjnë më mirë punët e tyre?
Hyn Putini…
Mandati i parë i Obamës u fokusua jo në Europë, por në shkëputjen e SHBA nga luftërat në Irak dhe Afganistan. Zhvendosja e tij e madhe gjeostrategjike, që u shpall në vitin 2012, ishte e ashtuquajtura “animi drejt Azisë”.
Frenimi, ose të paktën kontrolli i Kinës, si dhe forcimi i aleancave ushtarake, politike dhe tregtare me fqinjët e superfuqisë së re, ishte tashmë prioriteti numër një i SHBA. Europa? Ishte një Botë kaq e Vjetër.
Ky rreshtim i ri ka pasur pasoja srioze për europianët. Një thirrje e hershme për zgjim erdhi në vitin 2014, kur Rusia, pas një periudhe të gjatë duke testuar mbrojtjen e NATO-s, pushtoi dhe aneksoi Krimenë dhe mbështeti rebelët që luftonin qeverinë pro BE-së në Ukrainë
Shkurt, presidenti Vladimir Putin shfrytëzoi atë që perceptohej si një angazhim i reduktuar ndaj Europës, për të nisur rrëmbimin e Krimesë. Obama hoqi sytë nga topi. Putini e mori topin dhe ia dha vrapit.
Putini bëri një lojë të ngjashme në Siri në vjeshtën e kaluar, duke ndërhyrë ushtarakisht për të shpëtuar regjimin pro Moskë të Bashar al Asadit. Obama kishte hezituar gjatë.
Ai kishte ndryshuar mendje në momentin e fundit në vitin 2013, në lidhje me një fushatë bombardimi për të ndëshkuar al Asadin, për përdorimin prej tij të armëve kimike ndaj civilëve. Mbështetja e tij për opozitën properëndimore u duk si me gjysmë zemre. U krijua një boshllëk. Putini e mbushi.
Europa pastron rrëmujën
Për Europën dhe BE-në, modestia e Obamës ishte fatale. Në vitin 2015, vërshimi i refugjatëve sirianë ishte shndërruar në rrymë. Ndonëse Gjermania pranoi 1 milionë të ardhur në 12 muaj, migrantët vazhduan të vijnë, dhe numrat e tyre u shtuan prej irakenëve dhe afganëve që iknin prej luftërave gjysmë të përfunduara të Amerikës. Uniteti i BE-së pësoi një të çarë mes kritikave të forta për kontrollet kufitare dhe kuotat. Megjithatë, Obama vazhdoi që thjeshtë të vështrojë, ashtu sikurse bëri gjatë krizës financiare të eurozonës dhe pothuaj falimentit të Greqisë.
Obama madje fajëson Europën për zhytjen e Libisë në kaos në vitin 2011, pas ndërhyrjes së perëndimorëve. Obama nuk donte të përfshihej në një tjetër luftë në Lindjen e Mesme. Ai nxiti Britaninë dhe Francën që të marrin udhëheqjen.
Po kështu, ai dhe Hillary Clintoni, Sekretarja e Shtetit e asaj kohe, ua la atyre që të pastrojnë rrëmujën pas rrëzimit të Gedafit. Siç parashikohej, ata dështuan, ashtu sikurse SHBA dështoi në Irakun e pas Sadamit. Tani ai thotë se Cameroni ishte “i shpërqëndruar” dhe e la Libinë të degjenerojë, në atë që revista The Atlantic thotë, se Obama e quajti, në bisedë private, një “shfaqje m….”.
Çfarë ka arritur ai?
Edhe suksesi me të cilin Obama mburret në politikën e jashtme – rënia dakord për një kompromis me Iranin në lidhje me programin e tij bërthamor – duket si një bekim i përzier për shumëkënd në Europë. Obama hodhi poshtë frikërat e rivalëve arabë të Iranit (dhe Izraelit), se ai i dorëzoi Teheranit një fitore të madhe e pa kosto, duke u dhënë fund sanksioneve të perëndimit, sidomos mbi naftën.
Vizita zbutëse e Obamës në Arabinë Saudite këtë javë ishte një përpjekje për të qetësuar këto frikëra. Lista e zhgënjimeve të Europës nuk përfundon këtu. Në Pragë në vitin 2009, Obama premtoi një përpjekje të ri për të hequr qafe armët bërthamore nga bota. Nuk ndodhi.
Në Kairo, po atë vit, ai ofroi një rinisje të marrëdhënieve me botën myslimane. Gjërat u përkeqësuan, me ngjitjen e ISIS (i njohur edhe si Shteti Islamik), një shtim të sulmeve terroriste në qytetet e Europës, dhe kolapsin e shpresave për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve.
Presidenti u betua që të udhëheqë përpjekjet për të luftuar ndryshimin e klimës. Por Kopenhageni ishte një katastrofë, që mezi u shpëtua në Paris vitin e kaluar. Dhe udhëheqësit e BE u zemëruan atëherë, për shkak të zbulimeve se “miku i tyre më i mirë” u kishte përgjuar telefonat.
Ashtu si shumë gjëra të tjera që Obama ka thënë gjatë tetë viteve të fundit, fjalët e tij nuk përputheshin me veprimet. Në East End të Londrës, kanë një frazë për ta përshkruar një njeri të tillë: “All talk and no trousers” (Vetëm fjala, pa pantallona…).
Duke parë gjithë këto, kur Obama të flasë në favor të BE këtë javë, përse votuesit britanikë duhet t’i kushtojnë vëmendje?
Simon Tisdall, CNN/Bota.al