Një burrë i martuar, baba i dy fëmijëve, e ka paguar shtrenjtë fiksimin për t’u rilidhur me ish-të dashurën e tij. 32-vjeçari ka marrë dy dënime me burg në një periudhë kohe prej më pak se 3 vjetësh, shkruan Panorama.
Dënimi i parë me disa muaj burg për akuzën e “përndjekjes” nuk e ka bindur atë për të hequr dorë nga vajza që e kishte lënë pasi kishte mësuar faktin se ai ishte i martuar. Menjëherë sapo ka lënë qelinë, Ed. L. ka nisur një vrull kërcënimesh, deri në ato për jetën, ndaj ish-të dashurës duke i kërkuar rindërtimin e lidhjes. “Do të jesh vetëm e imja, ose nuk ke për të jetuar. Do të të nxij jetën. Nuk do të të lë rehat. Nuk do të lidhesh me asnjë person tjetër”, kanë qenë disa nga kërkesat e tij.
Një kallëzim i dytë i të dëmtuarës H. E. e ka çuar sërish në gjyq, duke marrë dënimin 2 vjet e 8 muaj burg në mungesë për akuzën e “përndjekjes”.
Referuar vendimit të Gjykatës, e dëmtuara H. E. banon në një prej fshatrave të komunës Petrelë, Tiranë. Para disa vitesh ajo është njohur dhe dashuruar me të pandehurin Ed. L., me të cilin ka pasur lidhje dashurie. Në fillim të lidhjes, i pandehuri Ed. L. i është prezantuar asaj me një emër tjetër. Në këtë mënyrë ai ka vijuar lidhjen e tij me kallëzuesen. Sipas vendimit të gjykatës, në momentin që kallëzuesja ka mësuar se shtetasi Ed. është i martuar dhe me dy fëmijë, ajo e ka shkëputur lidhjen me të.
Ndarja nuk është pritur mirë prej të pandehurit, i cili ka këmbëngulur, duke e përndjekur atë për një periudhë kohore. E dëmtuara, H. E., i ka kallëzuar këto veprime të tij, çka ka sjellë më pas edhe arrestimin e tij, dërgimin në gjyq dhe dënimin e tij me burg. Referuar të dhënave, Ed. L. është shpallur fajtor nga Gjykata e Tiranës dhe është dënuar me 10 muaj burg. Këtë dënim ai e ka vuajtur në periudhën mes fundit të vitit 2013 dhe mesit të vitit 2014. Por duket se ky dënim nuk i ka vlejtur aspak 32-vjeçarit, i cili pas daljes nga burgu ka vijuar veprimet e tij të kundërligjshme ndaj kallëzueses H. E.
Sipas gjykatës, veprimet në fjalë ishin kërcënime dhe sharje në orare të ndryshme të ditës e natës në numrin telefonik të kallëzueses. Referuar vendimit të gjykatës, përmes këtyre kërcënimeve dhe kërkesave të vazhdueshme ai i kërkonte ish-të dashurës së tij që t’i jepte lekë për burgun që kishte bërë nga denoncimi i saj, duke iu referuar dënimit të tij të parë. “Në shqetësimet e krijuara, duke i shkuar te qendra e punës së kallëzueses, e duke mos e lënë të punojë e duke iu drejtuar me fjalët: ‘…ti do jesh vetëm e imja, ose nuk ke për të jetuar, do të të nxij jetën, nuk do të të lë rehat, nuk do të të lë që të lidhesh me asnjë person tjetër…’”, thuhej në vendimin e gjykatës.
Panorama