Të mërkurën në mbrëmje u bë e qartë se kush i fitoi zgjedhjet e Rektoratit të Universitetit të Tiranës. I mbyllur dhe i izoluar në Shtëpi, Mynyr Koni duket se do të jetë kreu i ri i UT, në vitin e parë të këtij Universiteti në reformën e re arsimore. Këtë vit shkollor profesor Koni do të jetë në krye të një institucioni publik që do të operojë me rregullat e privatit, pra me vetëfinancim dhe do të menaxhojë jo thjesht fondet e pagesave, por edhe të gjitha asetet e këtij unversiteti: toka, qytetin Studenti dhe gjithçka tjetër. Po në izolim, por të një lloji tjetër, do të jetë me gjasë edhe Emiliano Shullazi, personazhi që prokuroria, por jo vetë Koni, ka akuzuar se e kërcënuan me jetë, që të tërhiqej nga kjo garë. Klodeta Dibra, rivalja tjetër e Konit humbi, thuhet që ditën që çështja u bë publike nga Sali Berisha dhe profesorët, vota e të cilëve ishte si vota e superdelegatëve në Konventën e Demokratëve amerikanë për Clinton, u vunë në rresht për të nënshkruar një peticion publik pro rivalit të saj të kërcënuar. Donand Lu përshëndeti arrestimin e Shullazit dhe kërkoi që drejtësia të punojë për gjetjen e provave të forta për inkriminimin e tij.
Zoti Lu ka në fakt të drejtë. Shullazi është një person me influencë. Ai regjistroi të mërkurën fitoren e tij fundit si person i lirë, dhe njëkohësisht të parën nga burgu: fitoren e Mynyr Konit. Performanca publike e zonjës Dibra, përfshirë edhe daljen e saj të fundme në Top Story të hënën, ndoshta provuan se ajo ishte jo adapt për pozicionin e Rektorit, por provuan gjithashtu sesa pak lidhje kishte ajo me situatën mafiozo-akademike të krijuar pas përfshirjes së emrit të Shullazit në këtë fushatë zgjedhore. Dhe këtë guxoj ta them, edhe pa pritur rezultatet e hetimeve të Prokurorisë.
Shullazi dhe një përfshirje e tij teorike në fushatën zgjedhore për Rektor të UT, kanë lidhje vetëm me rivalitetet për të futur nën kontroll një institucion që për shkak të reformës në arsim, gdhihet këtë qershor pronar asetesh të mëdha, që “falë” PPP, ose partneritetit privat publik, do të kthehen në llokma të majme përfitimesh financiare, ndërtimesh dhe skemash të njohura riciklimi parash. Kaq të mëdha, saqë prania e Shullazit është një dyshim i arsyeshëm por jo i mjaftueshëm. Ai nuk ka mundësi të jetë i vetmi i interesuar në këtë çështje. Dhe këtë në fakt duhet të zbulojë prokuroria dhe organet ligjzbatuese. Ato, të cilat tashmë duhet t’i nënshtrohen reformës në drejtësi. armiku kryesor i të cilës, siç cilësoi Donald Lu Shullazin, vjeshtën e kaluar, tashmë gjendet në burg. Kryesori ndoshta, por jo i vetmi.
Tashmë, siç la të kuptohej nga Lu, do të zbulohet shpejt nëse kjo reformë ka armiq të tjerë. Pasi nuk ka më asnjë argument, nga asnjëra nga palët frenuese të këtij procesi, që ta ndalojnë atë. Arrestimi i emrit më të përfolur për hapësira të gjera jetike veprimi në urën lidhëse mes botës së krimit dhe asaj normale, i ka hequr të drejtën të gjithëve atyre që ia përdornin emrin, për të frenuar, ngadalësuar apo bllokuar reformën që do të cojë para drejtësisë, jo Emilianon, por porositësit e kërcënimeve te tij.
Dhe kjo në fakt, nga burgu, ose jo, është “fitorja” e Shullazit.
Ndoshta jo e fundit, por ajo më e rëndësishmja.