I pranishëm në mbledhjen e Asamblesë së Dhomës Amerikane të Tregtisë, Ambasadori Donald Lu i është referuar temës kryesore të ditës, asaj të arrestimit të Emiliano Shullazit, duke thënë se çështja ndaj tij duhet të ecë në mënyrë të pavarur. Prej disa ditësh tashmë, politika është përfshirë në arrestimin dhe dosjen Shullazi, në veçanti opozita e cila akuzon se ky i fundit është i lidhur ngushtë me Ministrin Tahiri dhe Kryeministrin Rama.
“Kjo çështje duhet të ecë përpara në mënyrë të pavarur. Duhet një sistem gjyqësor mjaft transparent dhe të bëjë ndryshimin me atë çfarë ka qenë përpara. Reforma në gjyqësor të jetë një reformë serioze. Jemi shumë të përkushtuar për ta përfunduar këtë reformë. Duhet të mbani përgjegjësi lidhur me këtë”, tha Lu.
Ambasadori i SHBA-ve iu ka bërë një thirrje edhe deputetëve të parlamentit shqiptar, që të dëgjojnë zërin e popullit dhe të punojnë për të.
“Thirrje deputetëve të parlamentit: Detyra kryesore të punojnë për popullin. Për popullin reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme dhe politikanët duhet të dëgjojnë zërin e popullit. Duhen vënë në dukje edhe vlerat demokratike të shoqërisë shqiptare. E rëndësishme ta ngremë zërin në lidhje për këtë çështje”, deklaroi ambasadori amerikan.