Ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaroi nga Fieri, ku zhvilloi një takim me aturitetet fiskale të rrethit, se aksioni kundër informalitetit do të vazhdojë dhe përzegjdhja e kontrolleve do të bëhet me bazë kampionesh, si në biznesin e madh ashtu edhe atë të vogël.
“Do t’i këstëzojmë atje edhe në ndërmarrje, apo në zyrën e tyre të punës për t’u kursyer edhe kohë, por edhe për të treguar se ne jemi shumë proaktivë me sipërmarrjen. Asnjëherë nuk duam të shkojmë tek instrumenti final i ligjit, që të bëhet mbledhja me forcë e gjobave”, deklaroi Ahmetaj.
Ndërkohë që qeveria synon të përmirësojë klimën ndaj biznesit, Ahmetaj i kërkoi sipërmarrjeve rekomandime për lehtësimin e procedurave pasi paketa fiskale për 2017 që do të miratohet që në verën e këtij viti nuk do të ketë ndryshime taksash.
“Ne nuk do bëjmë më ndryshime taksash. Edhe akciza e planifikuar në 1 janar nuk do të ketë ndryshim. E vetmja paketë fiskale do të jetë ajo që unë përmenda, përmirësimi i infrastrukturave”, tha Ahmetaj.
Ahmetaj lajmëroi edhe lançimin e një aplikacioni dixhital ku bizneset mund të bëjnë sugjerime, pyetje apo denoncime për tatimet dhe doganat./Tch