Kreu i opozitës maqedonase Zoran Zaev ka paralajmëruar intensifikim të protestave si shenjë revolte ndaj vendimit për zgjedhje të parakohshme më 5 qershor. Ai me këtë rast u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që janë shprehur kundër zgjedhjeve të qershorit që ti bashkëngjiten në protestë.
“Nikolla Gruevski i ka bërë zgjedhjet e 5 qershorit të pamundura. Maqedonia porosit që me 5 qershor të mos ketë zgjedhje. Beteja për Maqedoninë vazhdon. Protestat vijojnë dhe ato do të jenë edhe më intensive. Në vend është zhvilluar grusht shtet. Është shkelur kushtetuta dhe ligjet. Marrëveshja e Përzhinës është varrosur”, tha Zoran Zaev – LSDM.
Ndërkohë ka betonuar qëndrimin për mospjesëmarrje në zgjedhje.
“Të gjithë e dimë se nuk ka kushte për zgjedhje të drejta të lira dhe të rregullta. Lista zgjedhore nuk është pastruar. Nuk ka reforma në media.
Presioni dhe përzierja e partisë në shtet po vazhdon. Në 25 vjetorin e pavarësisë të gjithë këtu premtojmë se me nder do ta mbrojmë të drejtën tonë më të shenjtën, të drejtën për demokraci dhe liri”, u shpreh tha Zoran Zaev – LSDM.
Zaev u bëri thirrje gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë politike, etnike e fetare që të ngrenë zërin për demokraci dhe liri.