Në përgjigje të pretendimeve të ngritura në deklaratën e deputetes Arbjola Halimi sqarojmë se faktet e paraqitura prej saj nuk janë aspak të sakta.
Për sa i përket akuzës së parë e vërteta është se Spitali Rajonal i Vlorës nuk ka pasur gjendje të medikamenteve në magazina dhe për këtë arsye ka ndërhyrë me prokurim të drejtpërdrejtë për zgjidhjen e nevojave të ngutshme të fillim vitit.*
Së dyti, informojmë deputeten Halimi se asnjë medikament që hyn në Republikën e Shqipërisë nuk mund të tregtohet brenda territorit pa marrë miratimin nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe pa pullën përkatëse për çdo barnë, në rastin konkret pulla e dedikuar për përdorim spitalor. Prandaj edhe pretendimi se Spitali Rajonal i Vlorës ka prokuruar ilaçe të pa pajisur me vërtetim nga agjencia është i pavërtetë.
Së treti, theksojmë se procedurat për tenderin e pastrimit të Spitalit Psikiatrik të Vlorës janë kryer sipas ligjit për prokurimin publik dhe thirrja për këtë tender ka qenë e pasqyruar në faqen e zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike. Në këtë garë kanë marrë pjesë katër firma ku njëra prej tyre nuk ka paraqitur ofertë.
Pas vlerësimit të dokumentacionit të firmave rezultoi se njëra prej tyre, sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Licencimit, nuk e ka pastrimin si objekt të aktivitetit. Ndërsa një tjetër firmë pjesëmarrëse, jo vetëm që i mungonte eksperienca në kontrata të tilla, por nuk kishte shlyer ende detyrimet tatimore si dhe nuk zotëronte specialistët përkatës.
Gjithashtu, pas shpalljes së rezultatit asnjë nga firmat pjesëmarrës ne garë nuk e ka ankimuar vendimin final. Ndërkohë që oferta fituese është 30% më e ulët se fondi që shpenzonte Ministria e Shëndetësisë për pastrimin dhe gjelbërimin e Spitalit Psikiatrik.