Historiani Pawel Ukielski nga Instituti Polak i Kujtesës Kombëtare do të kishte preferuar që simboli më i madh i periudhës sovjetike në Poloni, Pallati i Kulturës, të rrëzohej. Ndërtesa e lartë prej 231 metrash është që prej viteve ’50 qiellgërvishtësi më i lartë i vendit dhe për shumë veta halë në sy.
Në atë kohë ishte edhe ish-ministri i Jashtëm, Radoslaw Sikorski, që u shpreh për rrëzimin e tij. Me të do të varrosej edhe simbolikisht komunizmi, tha ai.
Ithtarët e një logjike të tillë kujtojnë me dëshirë traditën e rrëzimeve të tilla, e cila ka nisur që në vitet 1920. Atëherë, shteti i sapoformuar polak i shkatërroi të gjitha simbolet e sundimit carist. Midis tyre shkatërroi edhe Katedralen-Alexander-Newski në qendër të Varshavës – atë e hodhën në erë, shkruan DW. Por Pallatin e Kulturës në Varshavë kjo nuk e kërcënon më. Mbrohet si monument kulture.
Simbolet e komunizmit duhet të zhduken nga hapësira publike në Poloni dhe kjo është një “punë e natyrshme dhe normale”, deklaroi para pak kohësh kryeministrja polake, Beata Szydlo, në stacionin televiziv polak TVN24. Shumë polakë janë të zemëruar “që këto simbole vazhdojnë të jenë në shumë vende.”
Sa të tilla ka, për momentin këtë nuk e di saktë askush. Në vitin 1994, në një marrëveshje ruso-polake u regjistruan 570 objekte të tilla. Prej tyre shumë janë eliminuar që pas vitit 1989. Por rreth 200 të tilla vazhdojnë të bien veçanërisht në sy, dhe ato duhet të hiqen, mendon Lukas Kaminski, drejtor i Institutit të Kujtesës Kombëtare (IPN) në Varshavë, sepse “monumentet në qendrat e qyteteve dhe në fshatra përcjellin një sinjal të gabuar historik”.
Kjo në një kohë kur deri para pak kohësh, Instituti i tij mbronte një pozicion krejt tjetër: vetëm në vitin 2015 u publikua pas viteve të një pune studimore shumëvjeçare studimi i parë shkencor për historinë e lindjes të të ashtuquajturave “monumente të mirënjohjes”. Ato që më parë u studiuan dhe u futën në listë, tani duhet të zhduken nga hapësirat publike: pas ndryshimit të qeverive, IPN mbështet planet e nacionalkonservatorëve. “Çfarë pasoi, pas çlirimit të Polonisë nga sovjetikët, përveçse një zgjedhë e re”, thotë Kaminski si argumentim.
Krahasimi me krimet gjermane preferohet të përdoret shumë tani në Poloni. Historiani Pawel Ukielski thotë në bisedë me DW: “Është vështirë e përfytyrueshme që të përkujtoheshin në të njëjtën mënyrë në hapësirën publike edhe ushtarët e Vehrmahtit.”
Që në këtë rast nuk bëhet fjalë për përkujtim, por për dëshmi të një epoke historike, e cila është pjesë e historisë së pasluftës të Polonisë, kjo luan një rol të dorës së dytë në debat. Shumë qytete dhe komuna reaguan shpejt për shpalljen e heqjes së monumenteve. Në Stetin ka vite që tregojnë me gisht një monument gjigant “të mirënjohjes për Ushtrinë e Kuqe”. “Ne e kemi pritur këtë vendim”, thotë një nëpunës i bashkisë së Stetinit.
Rreth 500 kilometra më në lindje, në kufirin rus me Kaliningradin, kryetari i bashkisë së Pieniężno-s, Krzysztof Kiejdo, e ka zgjidhur problemin që në vitin 2015. Pas diskutimeve të gjata ai e hoqi monumentin e gjeneralit të ushtrisë dhe heroit të Bashkimit Sovjetik, Iwan Tschernjachowski. “Ne kemi heronjtë tanë”, thekson Keido.
Por për rusët, qyteti i Polonisë lindore, Pieniężno-s mbetet një vend simbolik – me apo pa heronj në piedestal. Ambasadori i Rusisë, Sergey Andreev, vendosi atje edhe këtë dimër një kurorë në nderim të rënies së gjeneralit rus.