Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nga Dumreja ka kërkuar që me votë të shporret kjo kastë oligarkësh, sipas tij, “që e provoi, jo vetëm që s’mbante premtimet, por kishte vetëm një qëllim, të pasurohej për vete”. Këtë deklaratë Basha e bëri gjatë një takimi me banorë të Dumresë ku, sipas njoftimit për shtyp të PD-së, janë jo vetëm të zhgënjyer nga qeveria “Rama”, por dhe në situatë ekonomike tepër të vështirë, pasi nuk kanë përfituar asnjë subvencion nga qeveria, por rritja e çmimeve të imputeve bujqësore, energjisë etj, si dhe rënia e fuqisë blerëse e pamundësia e eksportit i ka zhytur në borxhe duke ua pamundësuar punimin e tokës këtë vit.
“Problemi këtu është korrupsioni sepse në qoftë se taksat merren dhe kthehen në rrugë të reja, në ujësjellës, në kanalizime, në vaditje, në kullim apo subvencione për bujqësinë ju do t’ia shihni hajrin. Ne kemi vendosur të investojmë në fshatin shqiptar 150 milionë euro në vit. Ju do të jeni në gjendje të shisni pa NIPT, por me kartë identiteti dhe pa kartë fermeri. Sepse karta e fermerit dhe NIPT-i janë instrumenta të fshehta për të shkatërruar tregun”, ka deklaruar Basha.
Sipas tij, shteti nuk mund të vazhdoj të rrisë faturën sociale, por duhet të punojë që të krijohen vende pune, që ekonomia të fillojë të xhirojë, që leku të fillojë të xhirojë dhe për këtë duhen masa radikale.
“Ulje taksash, investime publike të vërteta, jo falso, jo palma. Subvencionim të bujqësisë, ulje të energjisë elektrike dhe ky është propozimi për të cilin iu themi sot të gjithë shqiptarëve hajde të bashkohemi, dita e votimit nuk është larg”, deklaroi Basha.
(javanews.al)