Me zgjedhjen e Keith Kellogg si të dërguarin e tij të posaçëm në Ukrainë, duket se Presidenti i zgjedhur i SHBA Donald Trump e ka të qartë tashmë planin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
80-vjeçari Kellog, gjeneral dhe ish-këshilltar i Trump për sigurinë kombëtare e ka shpalosur propozimin e e tij kohë më parë duke dhënë detaje se si mund të bëhet e mundur një gjë e tillë.
Në mënyrë të përmbledhur, Kellog beson se një marrëveshje armëpushimi do të ngrijë dhe çmilitarizojë vijat e frontit dhe të dyja palët do të detyrohen të ulen në tryezën e bisedimeve.
Një taksë mbi eksportet ruse të energjisë do të përdorej për rindërtimin e Ukrainës, ndërsa kësaj të fundit nuk do t’i kërkohet të heqë dorë nga rikthimi i territorit të pushtuar, por do të pranojë ta ndjekë atë vetëm përmes diplomacisë.
Propozimi i të zgjedhurit të Trump për Ukrainën është parë si shumë i thjeshtë dhe i shpejtë në praktikë, por megjithatë ai nuk përshtatet me kërkesat e të dyja palëve në konflikt.
Lufta në Ukrainë është një nga pikat më të nxehta të politikës së jashtme të administratës së re amerikane dhe një nga premtimet më bujshme të fushatës së Trump.
Presidenti i zgjedhur ka premtuar se do ti jepte fund luftës brenda 24 orëve. Situata Rusi – Ukrainë është nxehur gjatë javëve të fundit me përdorimin e armëve të reja nga të dyja palët dhe futjen e trupave të huaj në fushëbetejë.
/a.r