Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Rebani Jaupi ka folur për faktin se emri i tij lakohet në Sky Ecc, në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.
Jaupi tha se emri i tij përmendet në Sky Ecc nga persona të tretë. Sipas tij, Shqipëria është një vend i vogël ku njerëzit njihen me njëri-tjetrin. Jaupi shtoi se asnjëherë nuk ka pasur biseda në jetën e tij me ndonjë person të botës së krimit, përveç se me kolegë, me të cilët ka punuar.
“S’mund të them se nuk ka lidhje mes policisë dhe krimit. Kjo ndodh edhe në vende të zhvilluara. Grupet kriminale duan të kenë një zë të tyrin në polici. Kur ka pasur raste bashkëpunimi mes policisë dhe krimit, ne kemi marrë masa. Bashkëpunëtorët me krimin në polici duhet të dalin para drejtësisë. Në polici vazhdon vettingu. Kushdo që ka bashkëpunuar me krimin, një ditë do dalë përpara drejtësisë. Kur më përmendet emri në Sky Ecc, shqetësohem. E them me përgjegjësinë time morale që nuk kam pasur në jetën time asnjë telefon Encro Chat. Kam bërë punën time me përgjegjësi. Nuk kam pasur asnjë bisedë me asnjë person të botës së krimit. Natyrisht, që njerëzit mund të bisedojnë me të tretët, jemi vend i vogël, njihemi të gjithë me njëri-tjetrit, por kurrë nuk kam komunikuar me njerëz të botës së krimit. Edhe në SPAK dhashë të gjitha sqarimet”, tha Jaupi.