Orët e vona të mbrëmjes u shoqëruan me stuhi dhe rrebeshe shiu, duke shkaktuar vërshime në rrugë dhe rrëshqitje masive të gurëve dhe inerteve. Rruga Kukës-Shishtavec u bllokua gjatë natës pas rrëshqitjes së një masivi gurësh që ranë nga skarpatet anësore, në afërsi të fshatit Lojmë. Fatmirësisht, në momentin e rrëshqitjes nuk pati qarkullim mjetesh apo qytetarësh. Kompania sipërmarrëse ka nisur punën për largimin e gurëve nga rruga dhe sigurimin e skarpatit nga rrëshqitje të tjera të mundshme.
Në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit, reshjet e shiut u kthyen në reshje dëbore, ndërsa temperaturat ranë ndjeshëm. Energjia elektrike është ndërprerë në shumë zona të Kukësit, Hasit dhe Tropojës, për të cilat po punohet nga grupet e punës të OSHEE-së, shkruan A2.
Nga informacioni i marrë nga KMC, mësohet se në territorin e Kukësit dhe Hasit kanë vazhduar reshje të dobëta bore, ku në Shishtavec trashësia arrin deri në 3 cm. Ndërkohë, deri në këto momente, nuk ka reshje bore në zona të tjera. Aktualisht, të gjitha akset rrugore kombëtare janë të qarkullueshme normalisht, përfshirë edhe Rrugën e Kombit. Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë, nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente.
I gjithë Qarku i Kukësit furnizohet normalisht me energji elektrike, përveç Nj. Adm. Kolsh, Surroj, Arrën dhe Malzi; fshatrat Topojan, Breki dhe Xhaferaj (Nj. Adm. Topojan, Bashkia Kukës); Nj. Adm. Lekbibaj, Bujan, Llugaj, Bytyç, Fierzë, Margegaj dhe Tropojë (Bashkia Tropojë); si dhe fshatrat Perollaj, Bardhaj, Helshan dhe Kosturr (Nj. Adm. Golaj, Bashkia Has).
/a.r