Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nuk mund të rrinte i qetë pa u përfshirë sërish në konflikte politike, me kundërshtarët e tij politikë. Ndonëse pozita e tij si President mbi palët dhe që përfaqëson të gjitha palët, nuk e lejon atë të mbajë anësi politike, haptazi sot është përfshirë edhe ai në një konflikt politik, ku gjendet tashmë PD-ja dhe disa shoqata ambientalistësh, kundër Bashkisë së Tiranës.
Objekti këtë rradhë që ka zgjedhur Kreu i Shtetit për t’u ballafaquar, në terren tashmë me mazhorancën, si kundërshtar politik, është Parku i Lodrave të fëmijëve tek Liqeni Artificial. Kundër këtij parku ka zhvilluar protesta të dhunshme PD-ja, ku deputetë të saj kanë shkuar dhe të armatosur, ka kërkuar referendum dhëndri i ish- kryeministrit Berisha, si dhe kanë protestuar disa grupime të shoqërisë civile. Në thelb ndërtimi i Parkut të fëmijëve është kthyer në një konflikt politik nga PD-ja. Dhe tashmë në këtë konflikt politik përfshihet edhe Presidenti Nishani, i cili ka deklaruar, sipas disa ambientalistëve me të cilët ai zhvilloi sot takim në Presidencë, se do t’i bashkohet protestës për Parkun duke protestuar tek Liqeni. Ai madje ka shkuar dhe më tej, ka caktuar jurist të Presidencës që të hetojnë për projektin dhe rezultatet do t’ia dërgojë Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, personalisht.
Është e pakuptueshme përfshirja publike e Kreut të Shtetit në një kolikt politik në mbshtetje të PD-së, por po të kihet parasysh vijmësia e raporteve të tij me mazhorancën aktuale, fabula është e qartë. Ai nuk mundi të dalë mbi interesat politike të PD-së nga ku erdhi në krye të shtetit si President.