Në një intervistë për JavaNews.al, ministrja e Inovacionit znj. Milena Harito shpjegon atë që është cilësuar si goditja e komenteve. Duke shpjeguar ligjin e ri, Harito shprehet se kjo nuk ka të bëjë me një censurë të qëllimshme, por me përafrimin e shërbimit tonë online me atë të Bashkimit Evropian. Në intervistën e mëposhtme, ministrja shpjegon edhe detyrimet që portalet do të kenë pas hyrjes së ligjit në fuqi, ndërsa thotë se aktualisht Shqipëria e ka një ligj që prej vitit 2009 dhe ligji i ri është një përmirësim i mëtejshëm në përputhje me direktivat evropiane.
Bisedoi Ardit Rada
Znj. Harito, sa e dëmton tregun e mediave online goditja e komenteve?
Komentet e të tretëve në një faqe online janë një fenomen relativisht i ri, i cili është masiv prej jo më tepër se 10 vjetësh. Eshtë një fenomen që sigurisht nuk ekzistonte në median e shkruar. Ndaj kudo, jo vetëm tek ne, për një fenomen të ri shfaqen nevoja të reja për vetërregullim ose për rregullime ligjore. Le të marrim rastin e Facebook i cili ofron mundësinë e fshirjes së disa përmbajtjeve sipas rregullave që ka përcaktuar vetë. Po kështu Bashkimi Europian, në vijimësi nxjerr direktiva të reja, ose plotëson direktivat ekzistuese për hapësirën online, botë në të cilën transferohet gradualisht një pjesë e jetës ekonomike dhe sociale.
Shprehja “goditja e komenteve” nuk ka lidhje me amendimet e propozuara në ligjin ekzistues, ligj i cili është përafrim i Direktivës Europiane. Që prej vitit 2009 kur ekziston ky ligj, shërbimet online në Shqipëri janë shtuar shumë, gjë që tregon qartë dinamizmin e këtij tregu tek ne si në pjesën tjetër të rruzullit. Ato do të vijojnë të shtohen edhe më shumë e më shpejt në vitet që vijnë. Ndërkohë gjatë konsultimit të amendimeve konstatuam që vetë portalet nuk ishin të ndërgjegjshëm që ishin objekt i këtij rregullimi ligjor, pra konsultimi shërbeu gjerësisht edhe për ndërgjegjësimin e tyre.
Amendimet sjellin saktësim të proceduravepër të mundësuar marrjen e masave kundër përmbajtjeve të paligjshme. Se cfarë është përmbajtje e paligjshme e ka përcaktuar qartësisht Kodi Penal dhe Kodi Civil në fuqi. Në këtë kuptim, lufta kundër terrorrizmit e intensifikuar në muajt e fundit kërkon gjithashtu vëmëndje të veçantë online.
Përsa i përket komenteve të të tretëve në faqet online, ligji aktual i cili është në fuqi prej vitit 2009, i njeh ato si përmbajtje të ofruar nga palë të treta dhe përcakton se ofruesi i shërbimit të informacionit, thënë ndryshe portali nuk është përgjegjës për përmbajtjen e palës së tretë (komentuesit) për sa kohë nuk është në dijeni për veprimtari apo përmbajtje të paligjshme. Kjo është shumë e rëndësishme për portalet. Por sigurisht në momentin kur portali vihet në dijeni ai duhet të veprojë për heqjen apo ç’aktivizimin e përmbajtjes së paligjshme.
Ky përcaktim ligjor ekziston aktualisht dhe askush nuk e ka konsideruar 7 vjet më parë kur është miratuar ky ligj, si goditje të komenteve. Ndryshimi që ne propozojmë ka të bëjë me qartësimin e frazës “të veprojë menjëherë”. E shprehur në këtë formë, fjala menjëherë mund të kuptojë nga 1 orë deri në 1 muaj, pasi është e papërcaktuar. Ne kemi propozuar që ky afat të jetë 48 orë.
A jeni konsultuar me legjislacionin e vendeve të tjera europiane për këtë çështje?
Sigurisht që jemi konsultuar. Afati i ndërhyrjes për çaktivizimin e komenteve të paligjshme varion nga 6 orë që e ka Gjermania, deri në 48 orë që e ka Spanja. Ne kemi vendosur afatin më të gjatë që kemi gjetur në legjislacionin e vendeve të tjera europiane.
Cilat janë detyrimet e tjera që parashikojnë ndryshimet ligjore ndaj portaleve?
Një nga pikat e rëndësishme të këtyre amendimeve është detyrimi i portaleve për të saktësuar një adresë kontakti, ku gjithkush mund të kontaktojë me drejtuesit e portalit. Ashtu si një gazete i dihet botuesi edhe një portali duhet ti njihet adresa dhe emir i personit përgjegjës. Po ashtu vendosja e rubrikës së raportimit është një përvojë që sot po aplikohet në të gjitha vendet e Europës dhe më gjerë, ndërsa qytetarët shqiptarë janëtë familjarizuar me të pasi është një nga opsionet që të ofron gjerësisht Facebook. Pra pavarësisht se duket si dicka e re në legjislacionin tonë, ne thjesht po kërkojmë të fusim një praktikë tashmë mëse normale për botën online.
Duke miratuar ndryshimet e propozuara që sjellin plotësime dhe në institucionet mbikqyrëse si Komisioneri për të Drejtën e informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ne synojmë të kemi një zbatim më të mirë të detyrimeve ligjore nga ofruesit e shërbimit.
Po për portalet që janë shtuar me shumicë dhe mund ta hapë kushdo, a parashikohet ndonjë masë frenuese?
Shtimi i portaleve është një gjë pozitive, që lidhet me lirinë e ofrimit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit. Është një tregues që kuadri ynë ligjor i ka dhënë frymëmarrje jo vetëm lirisë së shprehjes dhe mendimit, por edhe një sërë shërbimeve të tjera me ose pa pagesë të cilat shkojnë nga tregtia e mallrave online e cila është shtuar ndjeshëm sipas të dhënave të fundit, deri tek ofrimi i kurseve e trajnimeve online në gjuhën shqipe e cila është një fushë në zhvillim të shpejtë
Nga ana tjeter cilido ofrues shërbimi duhet të respektojë detyrimet ligjore si respektimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e minorenëve, ofrimin e shërbimeve pa diskriminim, të marre masa që të mos lejojë që shërbimet e tij të keqpërdoren për qëllime kriminale etj. Këto janë të gjitha detyrime që ligji i ka sot dhe që ne po përpiqemi t’i saktësojmë për ti bërë te të zbatueshme në praktikë.
Sa presion ndjeni për Ligjin e ri?
Kur prek çështje që lidhen me mediat, opinioni bëhet më i ndjeshëm. Por unë e shoh këtë si një oportunitet fantastik për të dialoguar me të gjithë mbi cështjet e shoqërisë së informacionit, e cila deri dje dukej ende si një ceshtje teknike, ndërsa sot e shohim që na prek të gjithëve.
Ne po përfitojmë nga ky rast për të dëgjuar opinionet dhe sugjerimet e shqetësimet e palëve, që nga mediat online, tek shoqatat për mbrojtjen e fëmijëve etj. Jemi duke zhvilluar një konsultim publik shumë të gjerë, duke marrë gjithë kohën e nevojshme, tej afateve që kishim përcaktuar, duke mos rënë pre e asnjë presioni, por mbi të gjitha duke mos lënë asnjë zë pa dëgjuar lidhur me këtë çështje. Në ditët në vijim do të organizojmë një tjetër tryezë diskutimi me përfaqësuesit e portaleve si dhe me praninë e organizmave ndërkombëtare partnere dhe shumë shpejt besoj se do ta kalojmë projektligjin me rregullimet e duhura për miratim sipas procedurave ligjore.