Emigrantët po përballen me mungesën e ushqimit, mjeteve higjienike, por edhe të hapësirave ku ata po qëndrojnë të bllokuar tash e disa muaj.Kështu alarmojnë organizatat humanitare që ndjekin nga afër gjendjen e emigrantëve në kampet tranzitore në Gjevgjeli dhe Tabanoc të Maqedonisë.
Ata thonë se gjendja është vështirësuar më shumë që dhjetë ditë, që kur Ministria për Punë dhe Politikë Sociale bashkë me Kryqin e Kuq kanë marrë përsipër kujdesin ndaj emigrantëve.
“Tash është koha e nxehtë për pastrim , ndërsa ka një numër të kufizuar të kabinave për tu larë, ndërsa është një numër i madh i refugjatëve rreth 900-1000 refugjatë, kushtet janë mjaftë të vështira, ka tensionime mes tyre, nervoza.
Nuk është I mjaftueshëm ushqimi dhe nuk është i kualitetit të nevojshëm sa i përket mjeteve higjienike edhe pse deklarohet se ka të mjaftueshme por ne në terren e shohim se ka mungesë dhe mundohemi të intervenojmë”, ka thënë Kastriot Rexhepi nga Organizata Humanitare N.U.N, raporton Alsat.
Ndërsa Driton Maliqi, nga Organizata Humanitare “Legis”, ka thënë se refugjatët nuk kanë as kushte minimale.
Shoqatat konsiderojnë që ministria nuk po kryen si duhet shërbimet për emigrantët. Ndërkohë që kërkojnë tu lejohet përsëri të marrin përsipër monitorimin e kampeve.