Pesëdhjetë e tre profesorë universitarë kanë përfituar jashtëligjshëm duke lidhur kontrata pune si staf i rregullt me dy e më shumë institucione të arsimit të lartë.
Burime të “Kohës Ditore” kanë bërë të ditur se shumica nga këta profesorë kanë lidhur kontrata të rregullta pune në dy e më shumë kolegje private, por ka nga ta që kanë kombinuar marrëdhëniet e punës me orar të plotë në sektorin publik dhe në atë privat.
Institucionet me të cilat ata kanë lidhur kontratë kanë shfrytëzuar emrat e tyre për të akredituar programet e studimeve.
Kjo, meqë, sipas Udhëzimit Administrativ për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, njëri nga kriteret është që institucionet e arsimit të lartë (IAL), programi studimor, duhet të kenë së paku tre profesorë që kanë gradën shkencore-doktor shkence.