Izraeli siguron Amerikën se nuk do të sulmojë zonat bërthamore dhe ato të naftës në Iran. Kështu shkruan Washington Post duke raportuar një bisedë mes kryeministrit Benjamin Netanjahu dhe presidentit Joe Biden, të cilin e njoftoi se kundërpërgjigjen që po përgatitet për hakmarrjen ndaj Teheranit nuk do të përfshijë sajtet jo ushtarake.
Media amerikane nënvizon se sulmi i Izraelit kundër Iranit do të ndodhë përpara zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të 5 nëntorit.
“Do të jenë një sërë reagimesh”, thotë burimi për Washington Post, që ishte në dijeni të bisedës së 8 tetorit mes Biden dhe Netanjahut.
“Po mbledhim mendime të administratës amerikane, por do të marrim vendimet tona përfundimtare në bazë të interesit kombëtar të Izraelit”, është deklarata e lëshuar nga kryeministria izraelite në përgjigjen për interesimin e mediave.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, planet e Tel Avivit kundër Teheranit janë të kalibruara mirë për të shmangur ndonjë ndikim në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Ndërkohë, për herë të parë është shfaqur në publik komandanti suprem i forcave iraniane Quds, Esmail Qaani, që mori pjesë në funeralin për komandantin e lartë të Gardës Revolucionare, Abbas Nilforoushan, të varë nga Izraeli në Bejrut më 27 shtator, bashkë me liderin e Hezbollahut. Ai nuk shfaqej prej dy javësh, gjë e cila kishte nxitur spekulimet për një vdekje apo arrestim të mundshëm të tij nga forcat e sigurisë të Iranit, mbi dyshimin e bashkëpunimit me shtetin hebre.
/a.r