Nga Nikoll Lesi
Sot u mbyll një histori debati mes Ramës dhe Blushit për demokracinë e brendshme në PS, për kolegjialitetin, statutin dhe mënyrën e qeverisjes. Pothuaj mbi 97 përqind votuan pro Ramës, sipas njoftimit të selisë rozë, ndonëse që në drekë Ben Blushi e hodhi poshtë referendumin, duke akuzuar se nuk ka listë votuesish nga PS, nuk ka vëzhgues, nuk ka patur debat para ditës së referendumit, etj.
Tashmë jemi para një fakti të kryer: Referendumi mbaroi dhe Rama fitoi. Në një farë mënyre votimi i ditës së shtunë ishte indirekt edhe konfirmim i mënyrës së qeverisjes së Edi Ramës, qeverisje të cilën Blushi e ka quajtur të paaftë, të korruptuar, bile deri diku edhe kriminale. Pra anëtarsia e do Edi Ramën kryetar, e do kryeministër. Po Blushi pse rri atëhere në këtë PS, të cilën ai e quan “Rilindje” e jo PS-ja e vertetë? Përderisa nuk të dëgjojnë, nuk të respektojnë, nuk të vlerësojnë, bile edhe të kanë shpallur armik selia rozë, çfarë do që rri në një strehë politike ku nuk ndjen vetveten, ku nuk ke se çfarë bën e nuk ta varin?!
Nëse Blushi mendon se mund të rrëzojë “Rilindjen” që ka uzurpuar PS-në, sipas tij, pse nuk krijon PS-në e vertetë, atë të traditës historike? Nëse do të jesh në politikë dhe politika bëhet kryesisht në parlament, as në listën e rradhës nuk do të vendosë Edi Rama, gjithnjë nëse rri në PS-në e tij. Nëse mendon se socialistët nuk përfaqësohen me “Rilindjen”, atëhere jepu PS-në e tyre që kanë patur para ardhjes në krye të Edi Ramës.
Natyrisht që të krijosh një parti nuk ka nevojë vetëm për frymë antiRama apo dëshirë socialiste për një parti të tyre. Kërkon impenjim, organizim, vajtje-ardhje përditë nga jugu në veri e kryq e tërthor nëpër Shqipëri. Kërkon edhe para partia e re, do support financiar, pasi duhen zyra, makina, karburant për të lëvizur, flamuj, salla me qera , zyra, fletëpalosje, etj. Natyrisht mbi të gjitha kërkon besim. Një “ushtri” e tërë duhet të bëhet gati nëse është siç thotë Ben Blushi se ka mijëra socialistë të pa përfaqësuar në Rilindjen e Ramës. Duhet edhe të keni njërëz që t’i numërojnë votat në kutitë e partisë së re, pasi mund të motivosh njërëzit , por në darkë, natën e votimeve, votat t’i numëron PS-ja!
Natyrisht që Ben Blushi duket se nuk ka më vend në PS-në e Ramës. Iluzione mund të ketë se do t’i hapin udhë më vonë për në krye të PS-së, porse e gjitha mbetet një mashtrim pasi pasardhësin e tij Edi Rama duket se e ka projektuar. Do të jetë Erion Veliaj ose Saimir Tahiri. Siç mund të ndodhë që edhe Koço Kokëdhima të jetë në fillim numri dy e më pas të kaloj në krye. Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë!
Problemi është nëse Ben Blushi e ka ndarë mendjen për parti të re politike apo do të rrijë aty nën Taulant Ballën, pasi edhe nëse shpreson për ditë me të mira në PS, diku nga numri 11 apo më tej do ta vendos në qarkun e Elbasanit si kandidat për deputet në PS, Taulant Balla!
Nga dita e shtunë Ben Blushi realisht nuk ka më vend në PS, “Rilindje” e cila ka kryetarin, kryesinë, asamblenë, grupin parlamentar dhe anëtarsinë kundër, pra kundër Blushit. Të paktën kështu votoi në referendum PS-ja. Nëse nuk ishin socialistë ata që votuan apo ata që i numëruan, atëhere Blushi t’i ftojë në partinë e tyre të re, e cila është PS-ja e vertetë, sipas tij.
Ben Blushi dhe Edi Rama nga data 9 prill 2016 janë armiq dhe armiqtë nuk rrijnë shpinë me shpinë e në një çadër, por përballë, me taborre gati për betejë.
Edi Rama e ka partinë e tij, ka qeverinë, gjithnjë nëse nuk prishet me LSI-në, ka gjithçka të paktën për momentin. Ben Blushit i duhet punë për “shtëpinë” e tij të re politike, por ama duhet të fillojë. Zgjedhjet mund të jenë në prag çdo ditë, pasi reforma në drejtësi pak gjasa ka që të miratohet me këtë parlament. Nuk uroj, por duket sherrnaja mes PD e PS, e cila në thelb ka mosmiratimin e reformës dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Nga kjo e shtunë Ben Blushi është i përjashtuar nga PS-ja që drejton Edi Rama. Nëse ka iluzione atëhere qenka një tjetër Ben Blushi, nga ai që kam njohur.