Champions League është i vetmi kompeticion që Real Madrid mund të fitojë këtë sezon, pas eliminimit (në tavolinë) nga Kupa e Spanjës dhe distancës me Barcelonën në kampionat. Edhe kualifikimi në gjysmëfinalet e Champions League është kompromentuar shumë, pas humbjes 0-2 në Wolfsburg.
Të martën do të jetë ndeshja e kthimit në Bernabeu, ndërkohë që sot është ndeshja e kampionatit me Eibar. Trajneri Zinedine Zidane nuk ushqen iluzione për titullin, e di që momentalisht “ndeshja e jetës” është ajo me Wolfsburgun, ndaj ka vendosur që të lërë pushim pothuajse të gjithë titullarët.
Gazeta Marca shkruan se vetëm Cristiano Ronaldo do të jetë në formacion sot kundër Eibarit, ndërsa gjithë të tjerët nuk do të luajnë, përfshirë edhe portierin, me frikën e ndonjë dëmtimi.
Ronaldo ka luajtur çdo minutë të këtij sezoni dhe Zidane po bën atë që kanë bërë edhe trajnerët e tjerë para tij, duke mos e kursyer asnjëherë portugezin.
Ai lufton edhe për titullin e golashënuesit më të mirë të ligës, aktualisht me 29 gola, tre më tepër se Luis Suarez. Megjithatë, një trofe personal është shumë më pak i rëndësishëm se objektivat e skuadrës. Sikur të ndodhë ndonjë dëmtim që e lë jashtë Ronaldon nga ndeshja e së martës, me siguri që trajnerit të ri nuk do t’i bien veshët rehat për një kohë të gjatë.