Reagimi i parë i mazhorancës për dënimin e deputetit demokrat, Ervin Salianji me 1 vit burg, erdhi nga ligjvënësi socialist, Petro Koçi.
I ftuar në studion e News24 me gazetaren Ola Bruko, Koçi tha se ndjen keqardhje për vendimin e Apelit. Ai shton se më i lumtur nga kjo situatë është kryetari i PD, Sali Berisha.
Koçi tha se Salianji u dënua nga Shkalla e Parë dhe Apeli për shkak se sipas tij ishte falsifikuar një provë dhe jo për kallëzim të rremë.
Pjesë nga biseda në studio:
Petro Koçi: Më i lumtur për dënimin e Salianjit është Sali Berisha për të shkaktuar kaos dhe trazira, jo për Sali Berishën por tani për një tjetër. Nuk është ndonjë situatë re. Si koleg më vjen keq, nuk ndjej kënaqësi të shoh tjetrin në burg, e kam provuar vetë dhe është një gjë që nuk i shkon një politikani, një njeriu të mirë, të zakonshëm. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë ka lidhje me një provë të falsifikuar jo thjesht me faktin dhe një proces denoncimi. Ne denoncojmë çdo ditë gjëra nga më të ndryshmet.
Ola Bruko: Akuza është kallëzim i rremë. Por Salianji nuk e ka kallëzuar, e ka artikuluar politikisht nga selia…
Petro Koçi: Thelbi është te fabrikimi i një prove. Nuk është problemi se Salianji apo një tjetër ka denoncuar diçka, kjo është krejt normale.
Ola Bruko: Mazhoranca thotë se goditja u bë pasi Salianji mori drejtimin politik të Elbasanit…
Petro Koçi: Ka një dënim të shkallës së parë prej disa vitesh, Apeli ishte konfirmim. Vendimi i Gjykatës së Apelit ishte 3:0. Gjyqi për vulën ishte më i rëndësishëm se gjyqi për Salianjin. Vendimi për vulën u dha nga të njëjtët gjyqtarë që morën vendimin edhe dje.