Nga Ben Andoni
Pothuaj sot e kemi harruar të gjithë 7 Prillin e vitit 1939, kurse publiku është bombarduar nga lajmi i parave të Panamasë, rasti tragjik i humbjes së jetës së dy pilotëve dhe Reformës, por për përvjetorin e pushtimit italian pothuaj nuk është thënë asgjë. Mësimi i madh, që sjell tradhëtia e asaj dite. E ç’është më e keqja është se kjo bëhet në kohën e qeverisjes së pushtetit të Majtë, që respekton në letër dhe me propagandë vlerat e luftës.
E megjithatë, historia duket se është e destinuar të harrohet në vende si Shqipëria. Hysein Selmani, adjutanti i mbretit, na ka lënë një pjesë të kujtimeve të tij, kuptohet të rrumbullakosura, ku mbretin e lusin të largohet nga Shqipëria. Do t’i shfrytëzojmë për të sjellë këtë atmosferë të kohës me syrin e njerëzve të Familjes Mbretërore. Por, duhet thënë se kujtimet e kohës kanë nxjerrë realitet tjetër për atë ditë. Këtë kujton kur dihet se Mehdi Frashëri përmend se Zogu dhe pushtetarët e tij kishin ikur nga sytë këmbët dhe tradhëtia dukej sheshit dhe jo si thuhet që ata rezistonin. Kurse 7 prilli i vitit 1939, në kujtimet e adjutantit të lartmadhërisë, Hysein Selmani, duket sikur po përjetohet si pabesi! Po nga kush? Pushtimi ka javë që dihet, por parlamenti shqiptar vazhdon bisedimet qesharake dhe koha do të tregojë se është krejt jashtë funksioni. Adjutanti na thotë se institucioni kërkon që familja mbretërore duhet të largohet, kurse ushtarët italianë kanë zbarkuar në Shqipëri. “Pa shumë bujë”, thonë kronikat e kohës. Italianët, sipas parashikimit të tyre, në orën 5 të mëngjesit kanë zënë portet kryesore të Shqipërisë. Ajo që është interesante në kujtimet e adjutantit të lartmadhërisë është se megjithatë ai nuk i mohon dot dezertimet dhe tradhtitë, pasi shqiptarët e kanë pritur me armë pushtuesin. Kuptohet se kanë qenë inferiorë, për shkak se sulmi italian ka qenë i përgatitur nga një prej ushtrive më të përgatitura të kohës. Gjithsesi vendi është mbrojtur në mënyrë simbolike. E veçantë në këto orë ankthi mbetet kërkesa e disa komandantëve, që mbesin në vijën e parë dhe tentojnë më kot për të thithur ndihma dhe zhgënjimi i tyre, për trupat që do t’i mbështesnin. Mbreti dhe zyrtarët shqiptarë, megjithëse e dinë të gjithë situatën bëjnë lloj-lloj akrobacish për të larë fytyrën . Ata dërgojnë një nga njerëzit e Ekzekutivit shqiptar në Durrës, Ministrin Rrok Gera për të negociuar me gjeneral Guxonin, që drejton pushtimin. Po çdo të negociojë vallë! Gjithçka ka marrë fund. Lenë gjoja një orë zjarr-pushimi, që italianët si pushtues tregojnë as nuk dëshirojnë ta respektojnë. Fundi i ditës do të tregojë një rezistencë shumë të vogël. Ndërkohë që Italia fillon të afrohet në kryeqytet protestat rreshtin. Në orët e vona të mbasdites, parlamenti largohet në drejtim të juglindjes së vendit, për më shumë siguri, kurse pak ditë më vonë do t’i dhurojnë bashkërisht kurorën Familjes Mbretërore italiane!!!
Shqipëria ngrys e pushtuar me pak njësi me ushtarë të mbetura, që numërohen me gishtat e duarve. Këto njësi simbolike, të rrudhura turpshëm prej dezertimeve të komandantëve, janë rezultat i një pune speciale të bërë nga spiunët italianë, në radhët e ushtrisë shqiptare, por edhe nga dorëzimi i turpshëm që i është bërë vendit me vite nga qeveritarët aktualë të kohës.
Mbase mësimi i madh i kësaj dite është që politika shqiptare duhet të mësojë që mbi të gjitha të verë fatet e vendit, pasi koha na ka treguar të kundërtën. Por sot më 7 Prill të gjithë e harruan.
Ja si u pushtua Shqipëria në mëngjesin e 7 prillit 1939
Në orën 05.00 të mëngjezit, më 7 prill të vitit 1939, Shqipëria ashtu si është parashikuar, është sulmuar nga Italia. Të paktën, në këtë orë forcat italiane kanë zbarkuar në Vlorë, Shëngjin, Sarandë dhe Durrës. Rezistenca ka qenë e pakët dhe duket se përkon me dhjetëra urdhrat, e çuar dëm, që janë dhënë për të forcuar brezin mbrojtës prej javësh nga Lartmadhëria. Pak orë më parë, Kryetari i Asamblesë Kombëtare i është lutur mbretit shqiptar, që të largohet bashkë me familjen mbretërore. Mbreti pranon pas mëdyshjesh të mëdha. Fillimisht niset mbretëresha dhe princi trashëgimtar me një shpurë të oborrit drejt Korçës. Qyteti në juglindje të Shqipërisë mendohet si qyteti me më shumë siguri, përkohësisht. Ndërkohë Mbreti bën një mesazh me radio për të gjithë qytetarët dhe luftëtarët e vendit: “Bijtë e mi qëndroni”, iu thotë patetik. Po kujt i drejtohet?!
Tiranë më 7 prill 1939 – ora 4 e mëngjesit, Mbretëresha dhe Princi trashëgimtar u nisën prej Tirane për Korçë
Nga Hysein Selmani
Personeli mjekësor ishte i pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për Madhërinë e Saj
Mbretëreshën, dhe për Princin e vogël Trashëgimtar. Po ashtu kishte edhe mjete të tjera ushqimore dhe ilaçet e nevojshme. Në orën 4 të mëngjesit, të datës 7 Prill 1939, të gjitha ishin gati për t’u nisur. “Profesori Veibel, preferoi ta vendosim në një automobil ‘Mersedes’ Mbretëreshën shtruar një masllakë, e jo në autoambulancë se rruga e gjatë dhe jo e mirë nuk ishte e përshtatshme. Prandaj nuk e vendosi në ambulancë. Princi Trashëgimtar me një tjetër automobil Mercedes, i përcjellë prej Princesësh Adile, Doktor Mouhin Shahinit, kapiten Zenel Shehut, dy infermiere dhe Qazim Prenit. Po ashtu dhe të gjitha plaçkat e nevojshme të Princit me një automobil tjetër mbrapa. Princeshat Mbretërore, vazhdon adjutanti,- ndjekin Mbretëreshën me dy automobila të tjerë dhe baronesha me Stavro Stavrin me një automobil tjetër. Po ashtu ndjekin Mbretëreshën edhe dy kamiona me plaçka dhe Mbretëresha shoqëruar nga Princi Trashëgimtar. Tre kamiona me ushtarë me toger Hilmi Kullën, prinin kolonën përpara, po gjithnjë në lidhje me qendrën e kolonës për sigurimin e Madhërisë së Saj Mbretëreshës e të Princit Trashëgimtar. Shtatë kamiona me ushtarë me kapiten Halil Branicën, ndjekin kolonën mbrapa, dhe kanë me vete një stacion radio R.3, për çdo eventualitet. Për t’u ndërlidhur me Komandën e Gardës Mbretërore me një parrullë të veçantë si edhe një shifër po të Komandës Gardës. Lartmadhëria e saj Mbretëresha bashkë me Princin Trashëgimtar në orën 4/15 të mëngjesit të datës 7 Prill 1939, u nisën prej Tirane për në Korçë me drejtim Krrabë, Elbasan, Librazhd, Qaf-Thanë dhe Pogradec e Korçë. U përshëndet Mbretëresha me Kryeministrin Kota, si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Ekrem Libohovën dhe me kolonel Husein Selmanin dhe u nisën. Ashtu siç u shënua më lart, kur drita sa po u çelte”.
Lufta me Italinë
Ora 5 e mëngjesit, data 7 Prill 1939:
Komandat e këtyre qendrave deklarojnë:
A- Saranda, Toger Taifur Dibra thotë në telefon: “Flora Italiane hyri në Portin e Sarandës dhe filloi shkarkimin në tokat tona. Kam në dispozicion vetëm një togë ushtarë të Rojes Kufirit. Luftën e fillova. Kam për të bërë detyrën për të vdekur për Mbret e Atdhe. Rroftë Mbreti e Rroftë Shqipëria. Toger Taifur Dibra”.
B- Vlora kolonel Ali Riza Topalli lajmëron me telefon: “Flota italiane tani filloi bombardimet prej detit e ajrit dhe shkarkoi në Portin e Vlorës e Karaburun. Luftën e fillova vetëm me një kompani ushtarake të R.Kufirit nën komandën e kapiten Dod Nikollës e 50 xhandarësh. Asnjë fuqi tjetër akoma nuk kam. Jam duke u tërhequr ndër shpatet e Sevasterit e të Llogarasë për sistemimin e ndërlidhjeve me fuqitë tona që po i presim orë më orë. Rroftë Mbreti, Rroftë Shqipëria. Kolonel Ali Rizaja”.
C- Durrësi Major Abas Kupi, lajmëron me telefon: “Flota italiane ka rrethuar Durrësin dhe hyri në Port. Janë më se 30 copë anije në Durrës, Porta Romane e Zonat e Banjave. Nuk patëm kohë për të minuar portin. Ne do të bëjmë detyrën, aviacioni po na dëmton shumë. Urdhëroni komandën e Shijakut, që të na vijnë në ndihmë, e sidomos të sigurojë Zonën e Banjave”. Kur po bisedojmë në telefon filloi bombardimi dhe mitralozat, ndjeheshin në telefon dhe menjëherë u pre telefoni. Lufta vazhdonte, por menjëherë dërguam një stacion radio R.3 në Shijak.
D- Shëngjini H.Bekteshi lajmëron me telefon e thotë: “Flota italiane filloi shkarkimin në zonat e Shëngjinit. Luftën e filluam me një togë ushtarësh të R.Kufirit nën komandën e toger Marka Jakut dhe 15 xhandarësh. Jemi në pritjen e ndihmave dhe jemi duke luftuar në afërsi të Kakariqit. Do ta vazhdojmë deri në fund. Rroftë mbreti, H.Bektashi e toger Marka Jaku”.
Pasi i mora të gjitha këto njoftime, menjëherë shkova e ja parashtrova Madhërisë së Tij Mbretit Zog. Ai më urdhëroi, që menjëherë t’u telefonoj, Kryeministrit Koço Kotes me Qeverinë, si edhe Kryetarit të Parlamentit të marrë përfaqësinë e Parlamentit dhe të vijë menjëherë në Pallat. Gjithashtu Komandantin e Mbrojtjes me atë të Shtatmadhërisë dhe Komandantin e Xhandarmërisë që të vijnë në Pallat.
Dhe më urdhëroi që t’ju drejtohem Qendrave që po luftojnë: Sarandë, Vlorë, Durrës, Shëngjin për t’u dhënë këtë mesazh.
Parlamenti i Bashkuar me Qeverinë menjëherë filluan të diskutojnë gjendjen dhe duke përgatitur protestat kundër sulmeve italiane. Ministri i Punëve të Jashtme, Ekrem Libohova, u ngarkua për të vënë në dijeni menjëherë të gjithë Përfaqësuesit e huaj në Shqipëri mbi luftën me Italinë Fashiste. Pas kësaj Ministri i Jashtëm doli me shpejtësi e shkoi në Ministri, për të vënë në dijeni të gjithë Ministrat e Shteteve si dhe Lidhjen e Kombeve. Ndërsa Këshilli Ministror përcaktoi se ai duhej të merrej me përpilimin e protestave për t’ia dërguar të gjithë Botës mbarë kundër Italisë Fashiste. Zogu i, Mbreti Shqiptarëve, po sa mbaroi bisedimet me mbledhjen, më urdhëroi të shkoja në komandën e Mbrojtjes Kombëtare, për të parë mbi sa kishte urdhëruar Komandantin për një përgatitje forcash sa më shpejt. Si edhe për të bërë një kundërmësymje kundër forcave italiane, që kishin shkarkuar dhe hyrë brenda në tokat shqiptare. Arsyeja ishte që me çdo kusht e sakrificë ata të hidheshin në det, jashtë tokave shqiptare. Prandaj unë shkova në orën 6.30 e mëngjesit, bashkë me komandantin e kryetarin e shtatmadhërisë, dhe u morën masat e kësaj përgatitje nga rezerva që kishte komanda dhe nga 6000 kreshnikë Mat-Dibër e Mirditë. Por ende nuk kishin arritur të gjithë këto rendime, të cilat duhet të ishin të gatshëm për të mësyer në Yzberish, Limuth, Prezë, drejtim, Durrës-Kavajë. “Komanda e mbrojtjes kombëtare, tepër e shqetësuar nga thirrjet që ju bënte komandave të zonave, nuk merrte asnjë përgjigje. Kjo siç rezulton se janë tërhequr në vija të dyta e nuk janë të sistemuar, po kjo e len për të dyshu. Vetëm sa u përket kreshnikëve me të gjitha kolonat, si Burrel, Derven, Shtamë, Murrizë që marshojnë me shpejtësi, sa që mbrëmja ka për t’i zënë duke arritur. Po ashtu edhe Milot, Krujë, Beshë, Tuajën. Po gjithashtu dy grupe ushtarësh njëri në Yzberish nën komandën e N/kolonel Shaban Begës dhe tjetri në zonën e Prezës me N/komandën të N/kolonel Qamil Boksit, si edhe një grup artileri nën komandën e Major Ahmet Rrojte, e tjera reparte.
Tiranë më 7 prill 1939 – ora 7 e mëngjesit
Ja ngjarjet e datës 7 prill me syrin e adjutantit. “Këshilli Ministror, së bashku me përfaqësinë e Parlamentit, të mbledhur në Pallat nën kryesinë e Mbretit Zog vazhdojnë bisedimet. Protestat u dhanë të gjithëve Shteteve të Botës dhe Lidhjes së Kombeve. Po tani po na vihet në qarkullim të madh propaganda jugosllave, si në Shkodër, Kosovë, Dibër dhe Çermenikë të Elbasanit, që nuk durojnë lëvizje ushtarake. Kjo që i ashpërsoi qenë mbi thirrjet e fuqive civile për t’i armatosur. Ishte një shqetësim të madh ndër këto prefektura. Dhe kjo natyrisht vjen nga ndërhyrja e Italisë pranë Jugosllavisë, ku flitet se si shpërblim do t’i jepet Shkodra Jugosllavisë. Kjo na shqetësoi së tepërmi. Por, turp për Jugosllavinë që nuk po na lejon të mbrojmë vendin tonë”.
Fuqitë bregdetare janë tërhequr në bazat e dyta, sipas lajmërimit të Komandës Mbrojtjes Kombëtare. Më poshtë vazhdohet se: “Saranda në lartësirat e Muzinës, është okupuar nga forcat armike, se armiku përparon nën mbrojtjen e aviacionit, e fuqitë tona janë urdhëruar të grumbullohen e të sistemohen në rrethet e Delvinës, ku do të ndërlidhen me kolonel Ali Rizanë në Sevaster.Vlora qyteti, Karaburuni dhe sa vise në afërsirat e Vjosës, janë okupuar prej armikut. Forcat ajrore armike manovrojnë duke zbuluar të gjitha viset dhe sidomos Llogaranë, Sevasterin, Grykat e Këlcyrës, Libohovën etj. Kolonel Ali Rizaja lajmëron se N/kolonel Bilal Nivica as nuk është prezantuar dhe as nuk e di se ku ndodhet. Natyrisht armët nuk i kemi patur mundësi me i transportuar nga Vlora prej aviacionit armik. Ato kanë mbetur në Vlorë, e tani po sa lajmërohen se në tërheqjen e forcave të vogla nga Muzina e Sarandës dhe kur kapiten Haxhi Xhilaga, po fillon të sistemojë në vijat e dyta në rrethet mbi Delvinë. Major Gjok Mirashi, ka burgosur Prefektin e Gjirokastër Ali Kokën dhe ka liruar e armatosur gjithë të burgosurit, e me batalionin e xhandarmërisë ka sulmuar kundër kapiten Haxhi Xhilagës. Në ndeshjet e para që u bënë në afërsitë e Jergucatit, si Major Gjek Mirashi dhe Gjergj Marka Gega, kanë mbetur të vdekur e batalioni u shpërnda. Major Gjek Mirashi kishte qenë i lidhur me italianët dhe gruaja e tij është marrë në vërejtje të kapiten Haxhi Xhilagës. Në Gjirokastër ka dërguar toger Hysni Vocin, me një togë ushtarësh, në mënyrë që të lirojë nga burgu Prefektin Ali Kokën, dhe nënpunësat e Prefekturës.Durrësi, qyteti deri në Shënavlash, Rrashbull dhe Pjeshkëz, është okupuar prej armikut. Forcat tona janë të sistemuara në Ndroq, lartësirat e Shijakut, Manzë. Parullat e zbulimit janë në Arapaj, Qafzotaj dhe Rrushkull.
Shëngjini është tërhequr në lartësitë e Kokariqit. Janë bërë disa ndeshje të vogla, meqë Komanda e Zonës nuk japin përgjigje. Kjo duket e dëshpëruar si nga propaganda jugosllave, po ashtu nga manovrimet e aviacionit që nuk i lejon për të lëvizur.
As komanda e zonës tretë me N/kolonel Faik Cuku, nuk jep përgjigje dhe po ashtu as Komandanti Xhandarmërisë Beratit Major Mahmut Golemi me batalionin e xhandarmërisë. Ky i fundit ishte urdhëruar për t’u sistemuar tek Ura e Hasa Beut, në lidhje me N/kolonel Faik Cukun”. Kjo ishte gjendja në orën 9 të mëngjesit datë 7 Prill 1939. Por shpresohet që në është se Jugosllavia, nuk ka për të ndërhyrë të përmirësohen të gjitha mungesat dhe rezistenca të vazhdojë më me furi kundër armikut, kudo në tokat shqiptare.
Zog i, Mbreti shqiptarëve më urdhëroi, kujton adjutanti, për të vizituar Shijakun që i ishte besuar Major Sabri Gjilanit me një batalion ushtarësh; një bateri mali 65/17 dhe dy kompani ushtarë në Shkallnuer; një togë Z.M dhe një stacion Radio R.3; 300 vullnetarë nën komandën e Ramazan Jellës. Pasi në këtë kohë Major Abas Kupi kishte ardhur në komandën e Gardës në Tiranë. “Shkova dhe kam vizituar të gjithë vijën e resistencës nga Ndroqi, në Mansë dhe e gjeta krejtësisht në rregull. Morali është i lartë në oficerët, ashtu në ushtarët. Vetëm se vendi është shumë i zbuluar pa gjethe dhe si aviacioni dhe marina i dëmtojnë rëndë. Presin me padurim që të erret, për të bërë disa mësymje kundër Rrashbullit e Shënavlashës. Ndërkohë, sa u kthye nga Shijaku i parashtrova Madhërisë së Tij Mbretit, mbi sistemin e vijës së dytë Ndroq, Mansë, ku Mbreti mbeti i kënaqur së tepërmi kur i thashë se: Morali i oficerëve dhe ushtarëve është i lartë e i pathyeshëm. Aty ishte edhe Kryeministri Kota, e më bëri fjalë mbi zonat e tjera. I erdhi shumë keq për tradhtinë e Major Gjek Mirashit, një familje e mirë e Bajraktarit të Shkrelit, që e kishte më të besueshmin dhe prej këtij pritej një shërbim patriotik. Po ky kishte edhe të vëllanë Major Llesh Mirashin në Shkodër me një batalion xhandarësh, por ky mbeti besnik”.
Pas kësaj, më urdhëroi Mbreti për të shkuar në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare, si edhe për të siguruar mbi të gjitha vijat e qëndresave dhe po ashtu të jap njoftime mbi rezervën e komandës, sa shkova në komandë aty duke biseduar me Komandantin Gjeneral Xhemal Aranitasin. Ai më deklaroi se ishte shumë i shqetësuar dhe me plot habi mbi tradhëtinë e Major Gjek Mirashit, që kishte batalionin më të plotësuar të xhandarmërisë, si edhe mos përgjigjen e Major Mahmut Golemit, komandant i batalionit të xhandarmërisë së Beratit. Po ashtu sipas kolonel Ali Rizasë, N/kolonel Bilal Nevica, nuk është përgjigjur edhe po ashtu grupi i tretë i Shkodrës nuk jep përgjigje. Dhe kam dëshminë mbi Major Llesh Mirashin, komandant i xhandarmërisë Shkodrës, ka një battalion xhandarësh, e mund të ketë lindur ndonjë konflikt si me atë të Gjirokastrës Major Gjek Mirashin, që paskan qënë të shitur me kohë tek italianët dhe tani na shkatërruan gjithë sa kishin vendosur. Edhe, përsa i përket N/kolonel Faik Cukut, ai nuk është aspak tradhëtar. Por kam dyshim në batalionin e xhandarmërisë nën Major Xhafer Shkambin dhe të batalionit xhandarmërisë nën Major Mahmut Golemit, që ata plotësojnë Grupin e zonës dytë të n/kolonel Faik Cukut. Këta mos të jenë të kompromentuar me italianët si Major Gjek Mirashi. Grupi II vetëm ka një batalion me kapiten Hamdi Jusufin të R.kufirit e një batari 65/17, malit dhe bazohej në batalionin e xhandarmërisë”.
Kur po doja të dija se komandanti ka shpresë dhe premton në organizimin e rezervës për sa Mbreti dëshironte më tha në është se koha do të na lejojë, pasdite kam për të ardhur të bisedoj mbi të gjitha se ku kam shpresë që të ndërlidhem me trupa, jo të xhandarmërisë, po të ushtrisë, e kam shpresë po jo tani.
Tiranë më 7 prill 1939 – ora 10 e mëngjesit
Fuqitë armike kanë përparuar deri në këto vende duke formuar krye-urë me armë të rënda e motorrike. Kjo për të lejuar shkarkimin në mbrojtjen e detit e të ajrit. Ata kanë arritur, kujton për 7 prillin adjutanti Selmani, në Sarandë, Muzinë dhe deri në ultësirat e Delvinës. Kjo ka ndodhur pas ngjarjes së shkaktuar të tradhtisë së Major Gjek Mirashit. Kapiten Haxhi Xhilaga ka marrë masa për vijën e dytë, në lidhje me kolonel Ali Rizanë, në Tepelenë. “Në Vlorë, nën përkrahjen e aviacionit, kanë mundur të përparojnë trupat armike deri në naltësirat e Vlorës, Llogarasë e Vjosës. Kurse trupat tona ende nuk janë sistemuar. Si duket nuk kanë arritur në vendet e urdhëruara. Aviacioni na pengon shumë. Durrësi, pa dyshim, siç e komunikuam në Arapaj, Rrashbull, Shënavlash, Rroshkull është okupuar nga pararojet armike. Kjo siguron shkarkimin armik në portin e Durrësit me mjetet e rënda. Aviacioni musolinian manovron me shumicë gjithandej në tokat shqiptare. Edhe koha është mjaft e pafavorshme, kur gjendet i gjithë vendi i shtruar. Çfarëdo lëvizje duket haptazi nga aviacioni. Dhe kanë pengesa të mëdhaja trupat tonë, në manovrimet e tyre për sistemimin në qendrat e luftimeve. Me zor presim që të erret për të plotësuar vijat e qëndresës të urdhëruara”, kujton adjutanti.
Mbreti Zog është në diskutime të mëdhaja me Komandantët e ushtrisë dhe të xhandarmërisë, por i shikonte mirë të metat, që kishin si ushtria dhe xhandarmëria. “Ai dëshironte që të plotësonte një forcë, me çdo mënyrë, që natën e 7-8 Prillit të bëhet një kundërmësymje. Që me çdo sacrifice, fuqitë armike për t’i hedhur në det, gjithandej ku kanë zbarkuar në tokën shqiptare”. Por komandat si dhe Kryetari i Shtatmadhorisë e shohin të pamundur një veprimtari dhe një përgatitje forcash që të marrin një kundërmësymje, siç urdhëronte Mbreti kundër armikut. Sepse konditat e mjeteve tona shumë të pakta e të vjetra, si edhe koha nuk është e favorshme. Vendi është krejtësisht i zbuluar, që aviacioni armikut nuk lejon asnjë lëvizje sado e vogël ushtarake të bëhet në këto sektorë. “Megjithëkëtë, Mbreti, shkruan adjutanti në 7 prill,- ka vendosur për të mos u tërhequr nga Tirana, pa kryer një mësymje qoftë edhe me forca të vogla. Ai po prêt fuqinë kreshnike, që janë urdhëruar për t’u afruar në qendrat: Mamurras, Ishëm, Prezë, Vlorë, Yzberish, Selitë, Tujan etj. Porsa të mblidhen këto, të gjithë kanë për të përpiluar një plan të dytë dhe me çdo kusht do ta bëjnë një mësymje kundër armikut. Kjo të paktën në zonën Shkumbin-Milot. Ndërsa Qeveria dhe Parlamenti kanë vendosur që të tërhiqen në Zonat e Korçës gjithashtu edhe me një pjesë të materialit të autorepartit dhe depot ushqimore”.
Qeveria, sëbashku me përfaqësinë parlamentare, vazhdojnë pa dëme diskutimet e gjendjes, e mundohen që të ndërlidhen me Shtetet Europiane e Shtetet Fqinje, Jugosllavinë, Greqinë, por askushi nuk përgjigjet. “Ato kanë mbetur të strukun kundër kërcënimesh nazi-fashiste. Pritet nga Turqia ndonjë përgjigje, e sa nga të tjerët ndodhemi krejtësisht të izoluar. Dhe, sidomos Jugosllavia që haptazi është vënë përbri fashizmit kundër Shqipërisë. Ajo nuk lenë edhe në vendin tonë që të vdesim për Atdhe, por na pengon me çdo mjet, propagandë e kërcënime të pahijshme.
Pas kësaj, Mbreti urdhëroi Komandantin, përsa i përket zonës tretë N/kolonel Faik Qukut, që ky mundësisht të ndërlidhet me Tepelenën me Komandën e Zonës katërt kolonel Ali Rizanë”. Më poshtë adjutanti vazhdon. Sepse ashtu si tha mbreti: “Nuk ka asnjë dyshim, me një veprimtari, që edhe në është se e bëjnë kundër Fierit, por mos t’i humbin kontaktet, që të mbahen këto zona, në Drizarë, Skrapar, Vithkuq të Korçës. Po pati mundësi, këto forca, që ende nuk dëgjohen, mos të shkatërrohem por të tërhiqen në thellësi brenda Skraparit. E do të dëshiroja që të bëni çmos për të mundur të ndërlidheni me N/kolonel Faik Cukun dhe me dy batalionet e xhandarmërisë nën komandat e Major Mahmut Golemit tek Ura e Hasan Beut dhe atë të Major Xhafer Shkëmbit në Kishën e Mokrës. Deri në orën 6 të mbrëmjes të kemi një përgjigje mbi sa u bisedua. Dhe, kështu në orën 6 të mbrëmjes të vini këtu së bashku me Komandantin e Mbrojtjes Kombëtare Gjeneral Xhemal Aranitasin dhe kryetarin e Shtatmadhorisë Gjeneral Gustav Mirdaiçin dhe N/kolonel Sami Koka e N/koloneli Baron Kishner. Gjithashtu të jetë edhe Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë kolonel Shefki Shatku”. Kështu morën leje e dolën, kujton Selmani.
Tiranë më 7 prill 1939 – ora 10.30 e mëngjesit
Zogu I Mbret i shqiptarëve, në këtë orë, shkoi në stacionin e radios dhe u drejtoi shqiptarëve, e gjithë botës mbarë thirrjen e përkrahjen kundër Italisë fashiste, duke i vënë në dukje forcat e mëdhaja me armët e tij më moderne, deti, ajri e toke, që sulmuan Shqipërinë. Ku shqiptarët po luftojmë pa armë e krejtësisht të izoluar nga bota. Pas mesazhit të Mbretit Zog në radio pastaj foli edhe Mehdi Frashëri duke i dhënë të kuptojë botës së Italia fashiste e armatosur me armët më moderne, sulmoi Shqipërinë e Vogël të paarmatosur dhe anëtare të Lidhjes së Kombeve, me detë e tokë. Si edhe 300 e ca aeroplanë manovrojnë mbi qytetet e Shqipërisë duke bombarduar një shtet të vogël dhe të paarmatosur. “Unë, kujton adjutanti- pasi Mbreti Zog u kthye në Pallat nga stacioni i radios, bashkë me Kryeministrin dhe Mehdi Frashërin shkova në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare e si biseduam me Komandantin Gjeneral Xhemal Aranitasin dhe me kolonel Shefki Shatkun kuptova, që ata ende nuk kanë asnjë dijeni mbi trupat e urdhëruara prej Mbretit. Dhe që nuk kanë mundur të ndërlidhen as me N/kolonel Faik Cuku as me Major Mahmut Golemin as me Major Xhafer Shkambin. Nuk i pashë aspak të kënaqur nga kjo mosmarrja kontakt kurse N/kolonel Faik Cuku, ka dhe një stacion radio R.3, por nuk jep zë aspak. Prej këtej, shkova në Pallat dhe i parashtrova Mbretit mbi të gjitha, sa u bisedua dhe që ata nuk u japin zë thirrjeve”.
Tiranë 7 prill 1939 – ora 11.30 paradite
Në këtë orë Musolini prapë paturpësisht dërgonte telegrame. Ja përmbajtja e telegramit : Roma 7-IV-1939-Ora 9.
Sua Maesta Zog I des Albania Tirane: Nello spirito del amicizia Italo-Albanese, che Voi evocate e alla quale l’Italia intende rimanere fedele, comunico a Vostra Maesta, che potete mandare a Durazzo, Vostro Plenipotenziario per trattare accordo militare con General Guzzoni Comandante della truppe Italiane, da me autorizzato ad ascoltare Vostro rappresentante ed a riferirmi, Mussolini
Roma 7 Aprile 1939 – XVIIo Legacion Italia Tirane:
62 Personale per S.E.Jacomoni:
Fate pervenire immediatamente a Sua Maestas Zog, secuente telegrama del Duce: nello spirito dell’amicizia Italo-Albanese, che Voi evocate ed alla quale l’Italia intende rimanere fedele, cominuco A Vostra Maesta’ che potete mandare a Durazzo Vostro Plenipotenziario per trattare accordo militare con Generale Guzzoni, comandante delle truppe Italiane, da me autorizzato ad ascoltare Vostro rappresentante ed a riferirmi F/TO. Mussolini.
Cianno.
Tiranë 7 prill 1939 – ora 5 pasdite
Ja çfarë shkruhet për këtë ditë. Komandanti i trupave në Shijak, Major Sabri Gejlani, lajmëron se: “forcat motorrike italiane kaluan Rrashbullin e marshojnë në drejtim të Shijakut. Dhe, tani ndodhen në Qaf-Zotaj. Gjithashtu këmbësoria në 5 drejtime marshojnë pas motorrëve, ndërsa patrullat tona tërhiqen pa u çelë zjarri shkallë shkallë. Tani ka filluar me një furi të madhe manovrimi aviacionit përmbi Shijak dhe naltësirat Ndroqë-Shijak-Manzë. Kolonat motorrike po përparojnë me shpejtësi të madhe, urat i kemi minuar dhe janë gati për t’u hedhë në ajër. Na urdhëroni t’u hapim zjarr, janë 300 metra afër urës tanket. Aviacioni manovron mbi Shijak, akoma nuk ka filluar bombardimi”. Komanda i dha urdhër komandës së Shijakut Major Sabri Gejlanit që me të arritur në brigjet e Erzenit, të hidhnin urat në erë. Dhe pastaj të fillonin luftën kundër tyre e në lidhje të ngushtë me Komandën, mbi gjithë veprimet armike dhe tonat. Sa u hodh ura e Shijakut në erë dhe u hap zjarri, ku motorrët dhe trupat italiane u zmbrapsën dhe menjëherë zjarri nga Ndroqi, e deri në Shijak, por fatkeqësisht ura e Ejsë, nuk qe hedhur në erë nga forcat e Ramazan Jellës. “Këtu italianët kapërcyen me motorrët dhe po na dalin mbrapa Shijakut, kujton adjutanti,- kurse trupat e Ramazan Jellës u shpërndanë pa asnjë lajm, kur shohim që po na dalin nga mbrapa, sa me zor të madh kemi mundur të tërheqim batalionin dhe batarinë në zonat e Allai-Caushe, ku tani jemi gjithnjë nën zjarrin e detit dhe të ajrit”.
Në këtë kohë, gjithandej aviacioni nga Tirana e poshtë manovronte afër tokës duke zbuluar gjithshka dhe në shumë sektorë bombardojnë po në këtë mënyrë. Major Sabri Gejlani, lajmëron se: “Nga bombardimet të detit dhe të ajrit, bataria jonë doli jashtë përdorimit e ndodhemi për valimet e Allai-Caushit, por mitralozët e aviacionit nuk na lejojnë sistemin e qëndresës ashtu siç duhet. Deri sa të erret jemi shumë keq, por saqë të mori mbrëmja do të përfitojmë për t’u sistemuar se tani jemi më tepër nëpër shtëpiat e katundarëve”.
Ja pra nuk mjaftuan gënjeshtrat e mëparshme të Musolinit, por edhe tani me paturpësi jep telegramet e premtimet, dhe nuk mbajnë fjalën. Kjo është një pa burrëri, kujton adjutanti. Saqë komisioni në bazë të bisedimeve sa ishte nisur në Durrës kur një orë përpara kohës komandanti Italian Gjeneral Guzzoni nuk mbajtën fjalën, por përparuan. “Treguan shumë burrëri, ironizon adjutanti,- se kishin një fuqi të madhe përpara, një batalion të lehtë që kishte 4 mitraloza, ndërsa forcat italiane të pajisur me motorrë, flota e detit dhe aviacioni. Dhe kjo armatë italiane e përkrahur nga 300 e ca aeroplanë si dhe nga flota detare trembej nga një batalion i lehtë i shqiptarëve. E bënë pabesisht duke mos pritur kohën që kishin caktuar vetë. Duke ditur se ne nuk kishim ushtarë, as armë, as municione, sepse organizatorët italianë, një ditë përpara, u larguan prej ushtrisë shqiptare. E dinin shumë mirë se sa ushtri kishim dhe pa asnjë përkrahje qoftë edhe morale. Ndërkohë edhe Jugosllavia indirekt u bë aleate e Fashizmit nga frika. Mbreti Zog i I mërzitur nga komanda që nuk pat mundësi ta plotësojë atë përgatitje siç ishte urdhëruar. Megjithëse ishte e vërtetë se koha ishte tepër e shkurtër. Sepse siç e përmendëm më 6 Prill 1939 pasdite u larguan organizatorët italianë prej ushtrisë shqiptare e në sy të tyre nuk dëshirohej të përgatitej një mobilizim qoftë edhe i pakët, që mos të ashpërsohej atmosfera. E tani me gjithë përpjekjet e pamundura dhe koha shumë e zhveshur, ku askund nuk ka filluar pranvera, ndërsa mbulesa toke prej gjethit e të tjera nuk ka, por është si një dimër i ftohtë, që nuk lejonte askund aviacionin, pa diktuar marshimet e trupave”.
Përveç kësaj, Mbreti Zog kishte disa shpresa mbi disa Shtete se moralisht dhe indirekt dhe me disa materiale lufte kishte për t’u përkrahur. Por, fatkeqësisht edhe kjo qe e kundërta. Askush nuk na u përgjigj, vetëm kërcënime në dëmin tonë se ishin të tronditur nga kërcënimet që ju bënë nazi-fashizmit e sidomos Jugosllavisë dhe kërcënime dhe shpërblime, që vetëm të ndihmojë përparimin e ushtrisë italiane në Shqipëri, që të pengojë lëvizjet shqiptare me frikësime e propaganda të padëmshme, mbi okupimin e Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Librazhdit. Kjo ishte një fatkeqësi që nuk na linte të luftonim për të drejtat tona.
Tiranë 7 prill 1939 – Ora 7 pasdite
Në këtë kohë Parlamenti duke studjuar mirë gjendjen si edhe heshtjet e protestave vendosi të tërhiqet nga Tirana në krahinat e Korçës. Kjo pasi vendimi i parë qe marrë për Shkodër e Homeshë, u anullua nga sjelljet e Jugosllavisë, që ishin shumë të dëmshme. Kjo bëri që të përkrahej me çdo lloj propagande fashizmi. “Jo për tjetër vetëm sot për të keqen tonë e nesër për të zezën e Jugosllavisë nuk na lejojnë. Që tani kanë filluar duke qarkulluar propagandat se Shkodrën do ta okupojnë jugosllavët, që i qenka dhënë si shpërblim prej fashizmit. Gjithashtu fashizmi, në të gjithë anët e botës, lajmëronte se në Shqipëri ka shpërthyer një kryengritje e madhe kundër qeverisë e kërkojnë pa masë ndërhyrjen e ushtrisë italiane.
Pas gjithë këtyre, Parlamenti bashkë me Këshillin e Shtetit, në orën 7 të mbrëmjes porsa u err nisën për Pogradec në drejtim Krrabë-Elbasan-Librazhd-Qaf Thanë-Pogradec ku hë për hë aty do të qëndronin duke patur me vete dhe një stacion radio R.3 për t’u lidhur me qeverinë, si dhe ishin marrë masa për sigurimin e tyre dhe të vendit. Mbreti Zog bashkë me Qeverinë akoma ndodhet në Tiranë. Eshtë ora 8 e mbrëmjes saqë përpiqej duke rrahur në çdo mënyrë me komandantët që të bëhej prej rezervës një mësymje pasi armiku është tepër i frikësuar. Ai nuk përparon dhe është sistemuar në naltësinë e Shijakut. Ku në Vorë, Prezë, Yzberish, Valijas akoma ndodhen forcat e vogla tonat, e sa kreshnikët ende nuk janë afruar. Ndërsa, tani zhvillohet një propagandë e madhe gjithandej.
*Adjutanti i Mbretit. Kujtimet janë pjesë të dhëna nga Familja Mbretërore për gazetën “Korrieri” për t’u përshtatur për shtyp