Nga Arbi Kasapi/
Publikimi të hënën i “Letrave të Panamasë” pati një impakt të menjëhershëm në të gjithë globin, e madje as Shqipëria nuk mbeti prapa në ndjekje të informacionit, duke u rradhitur e 48-ta në glob për nga përmasat e interesit për atë që cilësohet si rrjedhja më e madhe në histori. E hëna e kësaj jave nisi pikërisht me këto Letra, teksa fokusi i të gjitha mediave perëndimore u përthith nga figura e Presidentit Putin. U desh ardhja e së martës, një protestë e madhe qytetare dhe dorëheqja e Kryeministrit Islandez, që vëmendja e medias evropiane të vinte tek kontinenti vjetër.
Një lëvizje e tillë e fokusit, të lë kohë të mendosh se mes 11 milionë dokumentave të rrjedhura nga “Mussack Fonseca” dhe publikimeve aktuale që kanë bërë gazetarët, ekziston një hendek jo pak i vogël. Cdo njeri i interesuar që ka parë videon shpjeguese të gazetës gjermane (Suddeutsche Zeitung) që mori e para sasitë e mëdha të dokumentave, do duhet të ketë vënë re tashmë, se ka diçka që nuk po shkon sipas “rrjedhës”. Në të thuhej se gazetarët ishin përgatitur që të sillnin për publikun çdo ditë një të dhënë të re, një emër me peshë dhe një skemë që ky emër ka përdorur për të fshehur paratë.
Sot është dita e tretë dhe ajo që ka habitur jo pak njerëz është fakti se në Panama Papers, vendi më i fuqishëm në rruzull, SHBA, nuk rezulton të jetë fare pjesë e asnjë “Letre” që ka dalë nga firma ligjore në Panama.
Një argument që mund të jetë i volitshëm për të shpjeguar këtë mungesë që bie dukshëm në sy, mund të jetë edhe lidhja mes publikuesit (agjensisë së gazetarëve), materialit ( vetë dokumentave “Panama”) dhe personave të cilëve u publikohen të dhënat ( Politikanët , biznesmenët, etj).
Përveçse gazetës gjermane të cilës i ka ardhur fillimisht informacioni, një peshë kryesore në analizimin dhe përdorimin e rreth 2.6 terrabyte materialeve, ka patur edhe ICIJ, ose thënë ndryshe Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë. ICIJ është një organizatë jo e vogël, që operon në shumë shtete të rruzullit. Ajo është krijuar dhe organizuar me fondet e Qendrës Amerikane për Integritet Publik. Donatorët e kësaj qendre e rrjedhimisht edhe Konsorciumit janë një sërë emrash të mëdhenj të korporatave më të fuqishme amerikane, si psh: “Ford Fundation”, “Carnegie Endoëment”, “Rockefeller Family Fund”, “Open Society Foundation” e Soros, etj.
Më shumë sesa një teori , fakt është se deri më tani nuk ka asnjë “letër me origjinë” nga Shtetet e Bashkuara. Madje edhe vetë mediat e mëdha dhe më prestigjoze të Amerikës, si CNN apo Fox, nuk i kanë dhënë kurrfarë rëndësie asaj që të gjithë po e quajnë Skandali më i Madh në Histori.
Në këto kushte shumëkujt mund t’i lindin pyetje se përse nuk ka asnjë letër amerikane në gropën Panameze dhe se përse publikimet e deritanishme kanë lënë jashtë vëmendjes SHBA-në dhe perëndimin në tërësi…
Madje edhe perceptimi i gjerë publik duket se nuk e ka patur problem që të vërë “veten në siklet” për ta parë një gjë të tillë. Kjo mbase ka të bëjë me një sasi të caktuar besimi, se dihet se kush është i mirë e kush i keq, i përgjegjshëm kush jo, i korruptuar dhe kush jo.
Thënë brenda një fraze që njihet më së shumti në shkencën sociale, kjo është “the subject supposed to believe” (subjekti supozohet të besojë), pritshmëria që të gjithë kanë për një çështje për të cilën tashmë kanë një besim të caktuar. Rasti i Presidentit rus është ideal për të shpjeguar se nuk ka nevojë që të di nëse ai është i korruptuar. Ajo që mjafton është që të besoj se të gjithë këtë mendim kanë për personin apo çështjen në fjalë, dhe gjithcka është në rregull.
Në këtë sens, Panama Papers i ngjason më shumë një pseudo- skandali sesa Furtunës më të madhe në Histori… edhe pse mbetet ende për tu parë, në ditët në vijim, sesi do të lëvizë e gjithë kjo sasi informacioni drejt e në sipërfaqen e dukshme dhe të prekshme të jetës politike dhe financiare.